E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, nëna lehonë hedh foshnjen nga kati III, tenton të vetëvritet

VLORË- Një tragjedi familjare ka ndodhur mesnatën e sotme rreth orës 3:00  të mëngjesit në qytetin bregdetar të Vlorës. Ai që do ishte gëzimi i parë familjar, është kthyer në vdekje.

Një nënë e re 25-vjecare ka hedhur foshnjen e saj të sapolindur nga kati i tretë i maternitetit, ndërkohë që më pas ka tentuar të vrasë veten,duke u vetëhedhur edhe vetë.

Ngjarjen  tronditëse e konfirmon drejtori i Maternitetit të Vlorës, Besnik Elezi.

Në një linjë telefonike për NEWS24 Elezi konfirmon se nëna 25-vjecare me inicialet E.M ka hedhur nga kati i tretë i maternitetit foshnjen e saj  të sapolindur të seksit mashkull dhe më pas në kushtet e depresionit është hedhur edhe vetë. Foshnja dy ditëshe nuk ka mundur ti mbijetojë tronditjes dhe plagëve të marra nga lartësia e madhe, si pasojë ka vdekur në moment.

Mësohet se kjo ishte lindja e parë për nënën e re, ndërkohë që mjeku sqaron se  fëmija ka lindur në gjendje shëndetësore shumë të mirë.

Pasi ka kryer lindjen  25-vjecarja ka lajmëruar bashkëshortin e saj që ta marrë, ndërkohë pak minuta para mbërritjes së babait të ri, ka hedhur bebin e saj, dhe më pas ështe vetëhedhur. Bashkëshorti, i cili priste lindjen e fëmijës së tij të parë është tronditur nga skena makabre.

25-vjecarja, e cila i hoqi mundësinë vetes të jetë nënë e një foshnje mashkull të lindur në shëndet të plotë raportohet të jetë ne gjendje të rëndë shëndetësore dhe për momentin është nën kujdesin e mjekëve neuropsikiatër, të cilët po përpiqen të kuptojnë motivet që që e shtynë drejt një krimi të tillë.

Mjeku Elezi, bën me dije se nënë lehonë mund të ketë pasur probleme psikoze, të cilat mund të kenë ndikuar që ajo të vriste beben e saj, dhe më pas të tentonte vetëvrasjen.

Policia ka marrë në pyetje familjarët e 25-vjecarjes, ndërkohë që ato kanë mohuar një konflikt të mundshëm midis bashkëshortëve. Rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes mbeten ende te pasqaruara, ndërkohë grupi hetimor dhe mjekët neuropsikiatër po punojnë për zbardhjen e ngjarjes.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›