E Diel, 1 Nëntor 2026

Stefanoviç: Serbia keqardhje për vrasjen e Enver Zymberit

BEOGRAD- Serbia ka shfaqur keqardhje për familjen e policit shqiptar të vrarë në veri të Kosovës.

“Ne dënojmë ashpër këtë krim, sepse është humbur një jetë njeriu dhe ne nuk mund të mbështesim në asnjë mënyrë diçka që është vepër kriminale. E di që ka njerëz në Kosovë që e besojnë këtë që Beogradi ka urdhëruar vrasjen, por nuk është rasti i tillë. Askush nuk ka dhënë një urdhër të tillë”, - tha Borko Stefanovic, shef i delegacionit serb në bisedime me Kosovën, përmes telefonit për Euobserver.

Por gjesti ‘i keqardhjes’ vjen mes të fjalëve të ashpra për të ardhmen e rajonit të diskutueshëm, ndërsa nuk fshehin qëllimin për ndarjen e veriut nga jugu i Kosovës, pasi siç deklaroi Stefanovic rreth 20% e territorit duhet të ndahet nga jugu i vendit.

“Ekzistojnë shumë ide. Duke filluar nga ndarja e Kosovës, pastaj status special (për veriun e Kosovës), autonomi dhe forma tjera. Të gjitha idetë janë të arsyeshme dhe duhet të jenë në tavolinë. Janë mijëra serbë që nuk dëshirojnë të jetojnë nën qeverisjen e shqiptarëve të Kosovës dhe ky realitet duhet të respektohet, ashtu si realiteti që 1.6 milionë shqiptarë të Kosovës nuk dëshirojnë të jetojnë në Serbi”, - theksoi Stefanovic.

Deklarat e zyrtarit serb vijnë pasi Enver Zymberi, polic shqiptar i Kosovës që ishte dërguar në korrik në një mision në veri të Kosovës të kontrolluar nga serbët, është qëlluar për vdekje nga një snajper. Zyrtarët nga të gjitha anët fajësojnë krimin e organizuar. Por javën e kaluar babai i policit të vrarë tha publikisht se ai beson që Serbia ka urdhëruar vrasjen për të përjetësuar ndarjet.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›