Vlorë, plagoset me thikë inspektori i tatim-taksave

Plagoset me thikë inspektori i tatim taksave në Vlorë, Ardi Selimi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në një parkim në qytetin bregdetar ku Selimi është qëlluar me thikë pas një sherri banal.
Sipas informacioneve të marra inspektori ka debatuar me autorin për një vend parkimi, debat i cili ka degjeneruar në përdorimin e thikës.
Mësohet se autori, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur e ka qëlluar me thikë Selimin i cili është dërguar me urgjencë në spitalin e Vlorës ku po merr edhe ndihmën mjekësore.
Ndërkohë policia po vijon kërkimet për kapjen e autorit të plagosjes së inspektorit Selimi si dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.