Vlorë, shemben kabinat në plazhin e vjetër
Vlorë- Të fundit kabina një katëshe të plazhit të vjetër janë shembur nga policia bashkiake, ndërkohë që familjet që banonin prej kohësh në to kanë kaluar natën jashtë.
Janë katër godina, ku strehoheshin 25 familje, të cilat janë rrafshuar në plazhin e vjetër. Sipas drejtorit të drejtorisë së shërbimeve në bashki, Ardian Musta, ndërhyrja përgjatë sezonit të plazhit ka qenë e kushtëzuar për këtë sezon vetëm pasi tani u çelën fondet.
Kjo sipas tij do të përmbushë edhe pjesën e pastrimit për plazhin e vjetër, i cili gjithmonë ka qenë problematik përsa i përket kushteve.
Strehim vetëm për ata që kanë dokumentacione, që kanë paguar dhe nuk kanë hyrë forcërisht. Kjo do të jetë skema e strehimit për familjarët, godinat në të cilat ata strehoheshin janë prishur, ndërkohë që vetë familjarë janë të shqetësuar.
Për këtë Musta pohon se jo të gjithë do të merren përsipër nga bashkia për strehim në kabinat e tjera dy dhe tre katëshe, pasi ata që kanë hyrë forcërisht, nuk do të përfitojnë këtë strehim.
Rreth një vit më parë nisi prishja e kabinave një katëshe të plazhit të vjetër. Banorë të tyre u sistemuan në kabinat tre katëshe, ndërsa dëshmi të një ndërhyrje thjesht për të prishur mbeten përgjatë një viti gërmadhat e tyre.
Çelja e fondit 50 milionë, këtë herë përmban edhe pastrimin e mbetjeve, për t’i hapur rrugë pastrimit të plazhit të vjetër.