Privatizimi i KESH, humbjet e energjisë i faturohen kompanisë
Qeveria i vendos kompanisë që do të blejë KESH-in objektivat e humbjeve në bilanc
Privatizimi më i rëndësishëm i 18 viteve ka hyrë në një fazë decizive që pritet të finalizohet me një ofertë konkrete në muajin Shtator. Burime nga ana e Ministrisë së Ekonomisë bëjnë të ditur se kriter bazë në këtë privatizim tejet të rëndësishëm nuk do të jetë çmimi, por plani i biznesit që do të ofrojnë kompanitë. KESH prej vitesh është në një krizë financiare për shkak të arkëtimeve të ulëta dhe njëkohësisht edhe të çmimeve të larta të energjisë. Por sfida e këtij privatizimi mbeten humbjet e mëdha në rrjet dhe vjedhjet. Të dyja bashkë, këto komponentë që përbëjnë humbjet totale të kompanisë nuk kanë mundur që të ulen poshtë nivelit 35 për qind të energjisë së hedhur në rrjet.
A do rritet çmimi në 2009?
Një përgjigje e tillë mbetet sërish në tavolinën e Entit Rregullator të Energjisë, që mbetet institucioni i vetëm që do vendosë për çmimin që do të aplikojë kompania që do të blejë KESH. Por sipas specialistëve të Ministrisë së Energjitikës, çelësi për të nxjerrë kompaninë nga humbjet është rritja e arkëtimeve dhe për këtë objektiv kompanisë që do të jetë pronari i ri i shpërndarjes, do t’i duhet që të ketë një përmirësim tre herë më të lartë se arritjet e shtetit në vitin e tij më të mirë. Në kontratë, kompanisë këto humbje do t’i njihen si të ardhura, edhe në rastin kur ato nuk do realizohen.
Risku i një privatizimi
Për çdo qeveri, privatizimi i një shërbimi të tillë siç është energjia elektrike mbetet nga më të rëndësishmit dhe njëkohësisht me delikatët. Por kompania që do të marrë nën pronësi Sektorin e Shpërndarjes nuk do të jetë e pavarur në aktivitetin e saj. Kontrata e saj e shitjes, do të ketë gjithashtu një pjesë të saj ku qeveria shqiptare del garant që të furnizojë vendin me energji në raste emergjence. Raste të tilla mund të jenë situata krizash që mund të vijnë nga mungesa totale e reshjeve, apo mosrealizimi i kontratave në importet e energjisë.