Vlorë, shtohen abonetë false në urbanë, riprodhohen nga studentët
/>Viti 2009 shton abonetë false në linjat urbane të qytetit të Vlorës. Edhe pse kjo nuk është hera e parë që vihet re në autobusët e këtij qyteti, pa kaluar një muaj nga ardhja e vitit të ri, abonetë false kanë rifilluar të dalin në qarkullim gjatë shërbimit urban të qytetit të Vlorës.
Shqetësimi vjen nga vetë fatorinot e autobusëve urbanë në këtë qytet, të cilët pohojnë se gjatë muajit janar kanë filluar të hasin më shumë qytetarë që paraqesin abone false gjatë udhëtimit me autobusë. Ato u shfaqën pak kohë edhe në fillim të muajit nëntor, por falë punës këmbëngulëse të fatorinove, abonetë false u zhdukën ca kohë për tu rishfaqur sërish gjatë muajit janar. Shqetësimi pohohet edhe drejtuesit e parkut urban, pasi siç bëjnë me dije këta të fundit, në këtë ndërmarrje punohet me normë dhe paraqitja e këtyre aboneve sjell mosrealizim të të ardhurave për këtë park. Sipas këtyre drejtuesve, janë vënë në angazhim punonjës të parkut për të bërë kapjen e personave që paraqesin abone false, por duket se një gjë e tillë paraqet jo pak vështirësi, pasi më së shumti këto abone i zotërojnë studentë të universitetit që kanë mundësi edhe largimi të menjëhershëm sapo diktohen se kanë abone false. Sipas fatorinove të këtyre autobusëve, nuk është shumë e vështirë të dallohen abonetë false që bëhen me kompiutër. Dallimi i parë është tek cilësia e letrës së bërjes së tyre dhe më kryesorja në dallimin e falsitetit të tyre është ngjyra me të cilën ato janë bërë. Sipas një përllogaritjeje të përafërt nga vetë fatorinot e këtyre autobusëve, aktualisht në këtë qytet mund të jenë në qarkullim rreth 150 abone false, të cilat sjellin jo pak shqetësime midis tyre. Shqetësimi nuk qëndron thjeshtë tek debatet që bëhen midis tyre dhe personave që disponojnë këto abone të cilët këmbëngulin se i kanë të rregullta, por edhe tek mosrealizimi i planit prej tyre. Fatorinot e kanë bërë prezent shqetësimin e tyre edhe në drejtorinë e ndërmarrjes, por deri tani nuk është bërë ndonjë gjë konkrete në ndalimin e qarkullimit të aboneve false, të cilat këtë muaj kanë mbushur linjat urbane. Deri tani nuk ekziston asnjë rregullore që të gjobisë personat që udhëtojnë me abone false nëpër linjat urbane të qytetit.