E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtoria Arsimore Berat: Ngrohja në shkolla është detyrë e pushtetit vendor

/>Ka mëse një muaj që bora dhe shiu në këtë mes dimri kanë ulur në disa gradë temperaturën, ndërsa ende në shumë shkolla nuk ka ngrohje, ku jo pak herë është vënë në pikëpyetje dhe procesi mësimor. Janë më shumë se 24 shkolla nga mbi 84 që funksionojnë në Qarkun e Beratit, të cilat ende nuk kanë ngrohje në klasat ku zhvillohet procesi mësimor. Disa klasa ku mësojnë nxënësit, janë ende në gjendje jo të mirë dhe të përshtatshme për tu zhvilluar procesi mësimor. Kryesisht shumë nga këto shkolla janë në komunën Poshnje, Sinjë Tërpan Vërtop si dhe në disa komuna të rrethit të Skraparit dhe të rrethit të Kuçovës. Por më problematike për godinat e shkollave që janë jashtë standardeve për zhvillimin e procesit mësimor janë shkolla 9- vjeçare Hingë, me 234 nxënës dhe 35 fëmijë në kopsht. Sipas burimeve nga drejtoria e kësaj shkolle, godina në fjalë jo vetëm nuk ka ambiente të përshtatshme për mësimdhënie, por ajo nuk ka as mundësi ngrohjeje për arsye se muret e saj janë të çara dhe era hyn nga një anë muri dhe del nga ana tjetër. Por probleme të tilla kanë edhe disa shkolla në rrethin e Skraparit, të cilat edhe pse nuk u mungon ngrohja me dru zjarri, godinat e shkollave janë jashtë standardeve. I pyetur për këtë problem nga gazeta, drejtori i Drejtorisë Arsimore, Yzedin Hima tha se për ngrohjen e shkollave mendon dhe merr masa pushteti vendor ku dhe aderon shkolla në fjalë. Shkollat më problem për ngrohje janë ato të zonave malore dhe kodrinore, ku reshjet e shiut dhe të borës kanë filluar dhe kanë ulur ndjeshëm temperaturën, si në zonat e Roshnikut, Sinjës, Tërpanit, Vërtopit, Starovës etj. Por në shumë ambiente shkollore mungojnë edhe xhamat e dritareve, gjë e cila e bën edhe më të nevojshme ngrohjen e tyre si dhe zëvendësimin e xhamave të thyera. Disa nga drejtorët e shkollave kanë pohuar në drejtorin arsimore se mungesa e ngrohjeve të ambienteve të mësimit ka çuar në rënien ndjeshëm javën e fundit të frekuentimit të nxënësve në këto shkolla, ndërsa nxënësit që e frekuentojnë nuk e janë të përqendruar në mësime për shkak të të ftohtit. Por për sa kohë që pushteti vendor dhe drejtoria arsimore ia lënë topin njëri-tjetrit, ende nxënësit do të mbeten pa ngrohje edhe pse sipas ligjit fondet për furnizimin me soba dhe dru zjarri janë akorduar nga dikasteri përkatës. Ditët e fundit, bora ka filluar të bjerë edhe në lartësitë rreth 300 metra mbi nivelin e detit, dhe thuajse të gjitha shkollat me mbi 24 mijë nxënës janë të vendosura në këtë lartësi mbi nivelin e detit edhe për arsye të pozicionit gjeografik të të tre rretheve të qarkut të Beratit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›