E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapshticë, policia greke nuk rikthen klandestinët e mbetur në dëborë

/>Dy prej emigrantëve me ekspuls. Pritet të përballen me gjykatën
Policia greke ende nuk ka rikthyer klandestinët që mbetën në dëborë, teksa dy prej tyre do të përballen me togat e zeza të gjykatës, pasi janë të dëbuar disa kohë më parë. Duket se ngjarja e rëndë që provokoi një gatishmëri të plotë në të dy anët e kufirit, vazhdon të jetë ende prezente edhe pas 24 orësh. Policia shqiptare në pikën kufitare të Kapshticës, gjatë orëve të mëngjesit të djeshëm ka marrë me anë të një faksi identitetin e plotë të 7 klandestinëve që kërkuan ndihmë, pasi mbetën në dëborë në zonën greke të Kristalopigisë vetëm pak kilometra larg pikës kufitare të Kapshticës nga ku kishin ikur ilegalisht. Ndërkaq, asnjë prej klandestinëve nuk ka mbërritur në Shqipëri, ndërkohë që 5 prej tyre janë trajtuar në spitalin e Kosturit me ngrohje graduale, duke qenë jashtë rrezikut për jetën. Dy prej klandestinëve, të vetmit meshkuj që kanë qenë në grupin prej 7 personash, janë dëbuar disa muaj më parë nga Greqia dhe për 5 vjet nuk mund të hyjnë në Greqi, por njëherësh dhe në asnjë shtet të Bashkimit Evropian. Fakti që dy klandestinët dhe konkretisht, Përparim Cali, 24 vjeç si dhe Aleksadër Disha, 24 vjeç, kanë hyrë sërish në shtetin grek ndonëse ishin dëbuar për kalim të paligjshëm të kufirit, por dhe për disa arsye që nuk bëhen të qarta nga policia greke e Kosturit, kjo do të vonojë drejt një afati të pacaktuar kthimin e tyre pas nga policia greke në atdhe. Përsa iu përket personave të tjerë, tre gra dhe dy fëmijë, nuk dihet se kur ata do të deportohen drejt Shqipërisë. Këtë fakt sipas komandantit të pikës së kalimit në Kapshticë, policia greke gjithashtu nuk e ka bërë të ditur, por sipas saj, pas trajtimit mjekësor të nevojshëm në këto raste dhe përfundimit të procedurave në polici, do të lihen të lirë.
Kontaktet me policinë greke
Gjatë ditës së djeshme, policia shqiptare ka vazhduar të mbajë kontakte të vazhdueshme me kolegët e saj grekë për gjendjen shëndetësore të klandestinëve, ndërsa ka pritur që policia greke ti kthejë. Madje kjo e fundit, me anë të faksit zyrtar drejtuar autoriteteve kufitare të kësaj pike kalimi ka dhënë të gjitha gjeneralitetet për 7 shtetasit shqiptarë, të cilët u lokalizuan në afërsi të zonës së Kosturit gjatë mbrëmjes së të dielës, pas ndihmës që kanë kërkuar nëpërmjet të afërmve të tyre në Shqipëri. Identiteti i tyre është: Vitore Dushaj, 22 vjeçe nga Shkodra, Alekandër Dushaj, 24 vjeç nga Puka, Përparim Cali, 24 vjeç, Valentina Cali, 34 vjeçe nga Shkodra, gjithashtu Marjeta Gjelaj 22 vjeçe, Klarisa Berri 3 vjeçe si dhe Anduaneta Gjelaj edhe kjo 3 vjeçe. Historia dramatike e klandestinëve që mbetën në dëborë ka nisur gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës, kur ata kanë kaluar në këmbë nga mali bashkë me dy foshnja të vogla si dhe nënat e tyre për të hyrë në Greqi. Vetëm gjatë orëve të buzëmbrëmjes ata kanë kërkuar ndihmë, e cila për fat të mirë iu ka mbërritur në kohë nga policia e shtetit fqinj që iu ka dhënë edhe ndihmën mjekësore në spitalin e Kosturit. Por ndërsa tre gratë dhe dy vajzat tre vjeçare do të deportohen së shpejti në kufirin shqiptar, nuk dihet se si do të shkojë fati i dy meshkujve klandestinë, të cilët janë dëbuar nga shteti fqinj disa muaj më parë për një afat 5 vjeçar, ndërsa kapja sërish në territorin grek e bën shumë më të vështirë pozicionin e tyre ligjor. Për këtë, ata gjenden të ndaluar deri në momentin që do të dalin para një trupi gjykues të gjykatës së Kosturit për thyerje të rregullave të shtetit grek dhe hyrje sërish në mënyrë ilegale në të ku duke mos respektuar vendimin e policisë së shtetit fqinj, që e ka përjashtuar për 5 vjet, hyrjen e tij në Greqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›