E Diel, 1 Nëntor 2026

Vodhën 40 mijë kg kafe në subjektin ku punonin dhe fituan 800 mijë euro, pranga dy magazinierëve, procedohet penalisht shpërndarësi

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona dhe ka nisur procedimin penal ndaj një tjetri pasi akuzohen se kanë vjedhur 40 000 kg kafe në subjektin ku punonin dhe e shitën duke fituar rreth 800 mijë euro në tre vite.

Policia thotë zyrtarisht se si rezultat i veprimeve operacionale të kryera mbi kallëzimin e administratores së një subjekti në fushën e prodhimit/tregtimit të kafesë, se kishte konstatuar vjedhjen e një sasie të madhe produkti, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Inventari”.

Si rezultat i operacionit: u vunë në pranga shtetasit A. K., 35 vjeç dhe V. K., 29 vjeçe, magazinierë në këtë subjekt; nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. B., 29 vjeç, shpërndarës.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrat, gjatë një periudhe trevjeçare, kanë vjedhur 40 000 kilogramë kafe, nga shitja e së cilës kanë përfituar 800 000 euro.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›