Vodhën xhiron e karburantit në Librazhd, në pranga dy të rinj

Dy persona janë arrestuar pasi akuzohen se kanë vjedhur xhiron ditore të një karburanti në Librazhd. Ngjarja ka ndodhur më 15 shtator, në orën 23:00, ku sipas policisë, autorët D. S. dhe D. I., të cilët qarkullonin me një automjet me targa të mbuluara, kanë shkuar në karburantin në hyrje të Librazhdit.
Të maskuar dhe me një send të ngjashëm me armë zjarri pistoletë, ata kanë kanosur punonjësin e subjektit, i kanë marrë xhiron ditore dhe janë larguar me shpejtësi.
Pasi janë larguar nga vendngjarja, për të fshehur autorësinë, dy të rinjtë kanë hedhur në shkurret e fshatit Mirakë sendin e përdorur për kanosje, maskat dhe veshjet e tyre. Megjithatë ato u arrestuan pak minuta pas ngjarjes.
Në pranga përfundoi D. I., 23 vjeç, dhe D. S., 19 vjeç, të dy banues në Elbasan.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale sendet e përdorura gjatë vjedhjes së bashku me lekët e vjedhura, celularët dhe automjetin e shtetasve të arrestuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Elbasan, për veprat penale “Vjedhje me armë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
/rtsh.al/