Vodhi disa automjete në Durrës dhe Bulqizë, arrestohet 21-vjeçari

Një 21-vjeçar nga Bulqiza është vënë në prangat e policisë, pasi akuzohet për disa vjedhje automjetesh në qytetin e Durrësit dhe në Bulqizë. I riu, me inicialet K. Ll., u kap gjatë operacionit të koduar “Markat”, pasi dyshohej se fshihej në një zonë rurale të Bulqizës.
Sipas policisë, pak para arrestimit, ai kishte vjedhur një automjet tip “Benz” në fshatin Gjoricë, në pronësi të shtetasit V. Xh. Pasi ka vënë re patrullat e policisë, 21-vjeçari është larguar me shpejtësi me automjetin e vjedhur, në drejtim të Tiranës, por pa arritur t’i shpëtojë ndjekjes.
Hetimet kanë zbuluar se i riu dyshohet të ketë kryer edhe tre vjedhje të tjera automjetesh në lagjet nr. 15 dhe nr. 17 të Durrësit, si dhe të ketë marrë sende personale nga një automjet tjetër në lagjen nr. 15.
Si prova materiale, policia ka sekuestruar disa automjete të vjedhura të markave “Benz”, “Toyota”, “Volksëagen” dhe “Ford Focus”.
Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/