E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vogëlushët afrikanë lirohen nga robëria

Aksioni i Interpolit në Burkina Faso rezultoi me shpëtimin nga robëria të afro 400 fëmijëve, disa prej të cilëve ishin më të vegjël se gjashtë vjeç.

Afro 400 fëmijë, të cilët detyroheshin të punonin nëpër miniera të arit dhe në fusha të pambukut në Burkina Faso, janë liruar në kuadër të një aksioni ndërkombëtar policor, u njoftua nga Interpoli.

Në mesin e vocërrakëve Interpoli hasi edhe në fëmijë më të ri se gjashtë vjeç, të cilët nëpër miniera punonin në kushte ekstreme, pa ushqim e pa ujë.

Natyrisht, fëmijët për këtë punë nuk paguheshin fare dhe nuk iu mundësohej shkollimi, ndërkohë që disa nga vajzat që punonin me dhunë ishin edhe viktima të dhunës seksuale, njofton agjencia AP.

Sipas Interpolit, gjatë operacionit të muajit të kaluar në këtë vend të Afrikës perëndimore janë arrestuar 73 persona, dhe janë liruar 387 fëmijë. Fëmijët u janë kthyer familjeve të tyre, e disa janë marrë edhe nga shërbimet sociale.

Puna e fëmijëve është dukuri e zakonshme në Afrikën perëndimore, një rajon ky që radhitet në krye të listës së varfërisë në botë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›