Vokshi: Mungon transparenca për ecurinë reale të procesit të integrimit

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Nënkryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme Albana Vokshi, gjatë seancës së sotme dëgjimore me Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, kërkoi sqarime për mënyrën si po menaxhohet procesi i integrimit europian të Shqipërisë.
Sipas Vokshit “procesi i integrimit po mbahet ‘top sekret’ dhe nuk ndahen me publikun dhe opozitën informacioni mbi negociatat dhe ecurinë reale të procesit”.
Në lidhje me fondet europiane dhe reformat, Vokshi ngriti shqetësimin se raporti i paraqitur nuk jep asnjë të dhënë konkrete mbi rreziqet që mund të cenojnë financimet nga BE.
“A ka qeveria një vlerësim të brendshëm për reformat që janë në rrezik mospërmbushjeje brenda afateve të BE-së, veçanërisht për qershorin 2026?”, pyeti ajo, duke përmendur edhe referencat kritike të Komisionit Europian për gjetjet e OLAF-it.
Një tjetër çështje kryesore, sipas saj, “është mosmbyllja ende nga Shqipëria e procesit IBAR, mekanizmi i BE-së që vlerëson progresin në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si kusht për avancimin e mëtejshëm të negociatave dhe mbylljen e kapitujve”.
Po ashtu Vokshi e pyeti Kryenegociatoren se “përse Mali i Zi po avancon në këtë proces dhe Shqipëria jo”.
“A ia ka bërë të qartë Bashkimi Europian qeverisë shqiptare se çështja Balluku përbën një test për Shqipërinë?”, u shpreh Vokshi në komision.
Duke folur në emër të opozitës, ajo vuri në dukje atë që e cilësoi si pikën më të dobët të qeverisë në raport me integrimin europian
“Qeveria prodhon shumë raporte, por ka pak ose aspak rezultate reale”, tha Vokshi.
Sipas saj, “kryeministri Rama nuk e dëshiron realisht integrimin europian të Shqipërisë, ndryshe nga më shumë se 90% e shqiptarëve”.
/m.m/r.e/a.f/