E Diel, 1 Nëntor 2026

Volante-Topallit: Veprimet e Ramës, në kundërshtim me ato që i ka kërkuar KE Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë takimit me Luca Volonte, presidentin e grupit parlamentar te PPE në KE

“Veprimet e Ramës janë kontradiktore me ato që i ka kërkuar Këshilli i Evropës”. Kjo është deklarata e bërë nga Luca Volonte, President i PPE në Këshillin e Evropës, gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit i shprehu Volontes vlerësimin për Këshillin e Evropës. “Ne mbështesim tërësisht deklaratat e Komitetit Presidencial, si dhe deklaratën e Byrosë së Këshillit të Evropës bërë para pak ditësh për Shqipërinë”, tha ajo. Duke folur rreth situatës më të fundit në Shqipëri, Presidenti Volonte u shpreh se “veprimet e zotit Rama në këto muajt e fundit janë krejtësisht të pajustifikueshme”. “Rama po gabon dhe në planin institucional, pasi po jep përgjigje kotradiktore me çka i ka kërkuar KiE. Asambleja parlamentare ka thënë që, debati behet në parlamentet dhe bojkoti është i papranueshëm. Iniciativa e grevës së urisë është në kundërshtim me atë që ka deklaruar se do të bëjë”, vlerësoi President i PPE në Këshillin e Evropës. Sipas tij, ideja për të bllokuar qarkullimin rrugor në Tiranë dhe për të bllokuar qarkullimin në qytete të tjera është kundër çdo norme civile që ekziston në të gjitha vendet demokratike. “Kjo është grevë urie, e cila më thonë se as nuk ka lidhje me Ramën. Pra ai i ka futur të tjerët në grevë urie dhe vetë, bashkë me disa krerë të partisë, nuk ka hyrë në grevë. Kjo është diçka qesharake. Kjo mënyrë sjellje është sterile, pa rezultat, që prodhon probleme të mëdha për qytetarët, ashtu siç mund të prodhojë dëme të mëdha ndërkombëtare. Nuk besoj se do i shërbejë as për publicitet Ramës, duke parë se janë përpara zgjedhjet e ardhshme lokale”, tha ndër të tjera, Volante.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›