Volonte: Opozita, po pengon zgjidhjen e ngërçit politik

President i Grupit Popullor Kristian Demokrat në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Luca Volonte akuzon opozitën si pengesë për zgjidhjen e ngërçit politik.
Në takimin me Kryeministrin Berisha, Volonte tha se në fillim të vitit 2010 Rama refuzoi propozimet e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KE-së, duke mbyllur qëllimisht rrugët për një zgjidhje institucionale të ngërçit të krijuar nga opozita.
Nga ana e tij, kreu i qeverisë Berisha nënvizoi rëndësinë themelore për hetim të plotë të ngjarjeve të 21 janarit.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu rolin dhe qëndrimin korrekt të përfaqësuesve dhe organizatave ndërkombëtare dhe përpjekjet e tyre për normalizimin e situatës.
Berisha e siguroi Volonten për angazhimin e tij maksimal që zgjedhjet për pushtetin vendor të 8 majit të arrijnë standartet më të larta të Këshillit të Evropës dhe OSBE-së.
Ai ftoi për një pjesëmarrje sa më të gjerë të Asamblesë Parlamentare të KE-së në misionin ndërkombëtar të vëzhgimit të zgjedhjeve.