E Diel, 1 Nëntor 2026

Volumi i kredise per bizneset dhe individet ne muajin tetor te 2011-es ka shkuar ne rritje

Sistemi financiar në vend vijon të jetë solid. Ndërkohë që në shumicën e vendeve të BE, problemi kryesor i sistemit mbetet kufizimi i kredive nga institutet bankare, në Shqipëri shfaqet një rritje e kredisë si për bizneset ashtu edhe individët. Të dhënat më të fundit të BSH, tregojnë se deri në fund të muajit tetor të 2011-ës, totali i kredisë për bizneset ka shkuar në rreth 380 milionë lekë, që do të thotë me rreth 40 milionë lekë më shumë se muajt e parë të vitit dhe me 50 milionë lekë më shumë se viti 2010.
Gjithashtu sipas të dhënave të BSH mbi kreditë deri në fund të muajit tetor, vihet re një rritje e kredisë për bizneset në monedhën vendase për tetorin deri në 105 milionë lekë, pjesa më e madhe e kësaj shume është përdorur kryesisht për pasuri të patundshme. Ndryshe nga muajt e mëparshmë vihet re një rënie e kredisë në dollarë krahasuar me shtatorin. Ndërkohë që pavarësisht luhatjeve të shpeshta të euros gjatë kësaj periudhe, bizneset kanë vijuar me kreditë në euro. Gjithsesi ajo që bie në sy është një rënie e kredisë me qëllim përdorimi për overdraft, në të dy valutat , euro dhe dollarë.
Edhe për individët, kredia në lekë për tetorin shkon ne 148 milionë, të përdorura si për overdraft ashtu edhe për blerje të pasurive të patundshme. Vihet re se në muajin tetor edhe për individët ka një rënie të ndjeshme të kredisë në monedhën amerikane, ndërkohë që ka pasur një vijueshmëri në kreditë në euro, të kredituara më tepër për sektorin imobiliar. Ndër të tjera sipas raportit, sektori me kërkesën më të lartë për kredi në muajin tetor të 2011 ka rezultuar ndërtimi, industria nxjerrëse dhe përpunuese si dhe bujqësia. Por ndryshe nga muajt e mëparshëm ka një ulje të kredisë për sektorin e tregtisë dhe të banesave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›