Von der Leyen viziton kufirin Poloni-Bjellorusi: Mbrojtja kufitare, përgjegjësi e përbashkët e Evropës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zhvilloi një vizitë të dielën në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë, ku paralajmëroi për rrezikun e sulmeve hibride në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe shprehu mbështetje të plotë për Poloninë.
“Polonia po përballet me sulme hibride nga përtej kufirit. Ne qëndrojmë në solidaritet me shtetin tonë anëtar,” deklaroi ajo, duke nënvizuar se në buxhetin e ri të Bashkimit Evropian është propozuar trefishimi i fondeve për menaxhimin e kufijve.
“Shtetet anëtare me një kufi të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe Bjellorusinë do të marrin fonde shtesë nga BE. Sepse dua të theksoj përsëri se kufijtë e Evropës janë një përgjegjësi e përbashkët. Ne jemi këtu në kufirin polak, por jemi gjithashtu në një kufi evropian dhe është një përgjegjësi e përbashkët. Ne kemi propozuar gjithashtu një rritje dhjetëfish të fondeve për lëvizshmërinë ushtarake. Dhe në përgjithësi, një rritje pesëfish të investimeve në mbrojtje”.
Von der Leyen publikoi gjithashtu pamje nga gardhi mbrojtës në kufirin lindor të BE-së, shoqëruar me mesazhin, “Një Poloni e fortë dhe një Evropë e fortë që ruan kufijtë tanë dhe mbron të gjithë evropianët. Mesazhi ynë është i qartë.”
Kryetarja e Komisionit Evropian u shoqërua gjatë vizitës nga kryeministri polak, Donald Tusk.
Ajo theksoi se mesazhet e BE-së po ndiqen me vëmendje nga Bjellorusia dhe aktorë të tjerë rajonalë.
/rtsh.al/