Vonohet formulari A2, AKP: Do jetë gati në fillim të javës që vjen
Maturantët në pritje. Këtë vit 300 programe studimi. Formulari do plotësohet online
Formulari A2 pritet të jetë gati në fillim të javës që vjen. Edhe këtë vit ai do të plotësohet online, ndërkohë që do të ketë më shumë programe studimi se një vit në parë, rreth 300 të tilla. Në këtë mënyrë maturantët kanë më shumë shanse për të fituar një degë në universitet.
Vonesa
Edhe pse pritej të ishte gati brenda kësaj jave, ende nuk është mbyllur hedhja e të dhënave të maturantëve në sistem, që më pas të llogaritin edhe pikët e fituara në maturë. Drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Provimeve theksuan se dita e djeshme ishte afati i fundit për të rinjtë, të cilët duhet të bënin pagesën për A2-in pranë shkollave, në mënyrë që të futen në sistem. Në rast se ata nuk shlyejnë këtë detyrim financiar prej 2000 lekësh atëherë nuk janë më pjesë e maturës, pasi mesatarja e tyre nuk hidhet online në sistem për tu përllogaritur më pas. Kjo duket se ka vonuar edhe procesin e përgatitjes së formularit A2.
Plotësimi
“Deri në fund të javës do të kemi gati sistemin dhe udhëzuesin përkatës për maturantët që do ta publikojmë në faqet elektronike të agjencisë dhe Ministrisë së Arsimit. Fundi i javës ose fillimi i javës tjetër do të jetë edhe periudha kur do të startojë plotësimi i formularit nga maturantët. Detyrimi shtetëror është që ata duhet të paguajnë një tarifë për procedurën e plotësimit të formularit. Shkolla nuk i fut pikët e mesatares maturantit në qoftë se ai nuk paraqet faturën e këtij detyrimi”, thotë Alfons Harizaj, drejtor i AKPS-së.
Programet
Specialistë të MASH bëjnë me dije se formulari A2 edhe këtë vit do të jetë online, dhe mendohet se atë do ta plotësojnë rreth 40 mijë të rinj. Ndërkohë një risi këtë vit është rritja e numrit të programeve të studimit që do të përmbajë formulari A2, çka u jep maturantëve më shumë shanse për të hyrë në universitet. Degët e re që do të listohen në A2, pritet të jenë më shumë në fushën e teknologjisë dhe informacionit, gjë që përputhet edhe me tregun e punës. Ndërkaq formularin A2 mund ta plotësojnë edhe të rinjtë që mund të kenë zgjedhur të studiojnë jashtë vendit, të cilët deri më tani kanë shkuar në afro 6000 kandidatë. Formulari A2 është procesi i fundit i Maturës Shtetërore për pranimet në universitet.