Vota e diasporës- Mbyllet vulosja e fletëve për 3 qarqe

Kukësi, Dibra dhe Gjirokastra janë tre qarqet e para për të cilat ka përfunduar brenda 24 orësh procesi i vulosjes së fletëve të votimit për diasporën.
Në 12 tavolina pune, një për secilin qark, 245 mijë fletët e votimit vulosen në parkun olimpik nga punonjësit e KQZ-së dhe më pas futen në zarfin A – unik për të gjithë zgjedhësit.
Në ditët në vijim, atyre do ju bashkëngjitet më pas zarfi B, që është i personalizuar për çdo votues, dhe së bashku me udhëzuesin dhe numëratorin e postës, paketohen në zarfin final postar.
Procesi po zhvillohet me kujdes dhe në kushte sigurie të lartë, ndërsa janë angazhuar 120 persona të ndarë në tre turne. KQZ synon që brenda një jave të mbyllë komplet paketimin e seteve zgjedhore, ndërsa shpërndarja e parë e zarfeve pritet të nisë të hënën, pa pritur përfundimin e të gjithë sasisë.
Për Evropën, pakot do të mbërrijnë deri më 22 prill, ndërsa në kontinentet e tjera, afati maksimal është 25 prilli. Zarfet do të dorëzohen vetëm personalisht, me postierin që do bëjë deri në tre tentativa për t’u takuar me votuesin.
Në rast se votuesi nuk takohet me korrierin, zarfi i tij do të jetë në kutinë postare më të afërt. Vota e emigrantëve digjet, në rast se ajo futet në territorin e Shqipërisë pas datës 11 maj ora 19:00.
/RTSH/