Zgjedhjet e 11 majit, Rama kandidon me 79 gra për mandatin evropian

Edi Rama e nis me gratë socialiste garën për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Si forca dhe energjia e Partisë Socialiste për mandatin e 4-t, takimi mbahet në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku Evis Kushi, kryetarja e Gruas Socialiste dhe Ogerta Manastirliu, drejtuesja politike e Tiranës, do të lidhen drejtpërdrejt me gratë socialiste në 11 qarqe të vendit.
I konceptuar si një takim interaktiv, pritet të ketë komunikime “live” nga i gjithë vendit, ndërsa do të jetë kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama që do të përmbyllë këtë takim, i cili përkon me çeljen zyrtare të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Partia Socialiste hyn në zgjedhjet e përgjithshme me 79 gra kandidate: 19 në listë të mbyllur dhe 60 në listat e hapura, duke shënuar një përqindje të konsiderueshme prej 42,5 për qind të përfaqësimit në zgjedhje. Edhe më herët, kryeministri Rama ia ka besuar grave rreth 50 për qind të kabinetit të tij qeveritar.
Socialistët do e organizojnë takimin e madh të fushatës në 12 prill në mesditë, në sheshin “Skënderbej”.
Rama synon të sigurojë në këto zgjedhje një fitore më të thellë se ajo e katër viteve më parë.
Gazetare: Denada Shkodrani
/rtsh.al/