E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vota e diasporës, PD shkresë KQZ për problematikat në Greqi: Të dërgohet mision i OSBE/ODIHR-it, SPAK të nis hetimet

Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) i ka dërguar një letër KQZ ku raporton problematikat e gjetura, sipas tyre, lidhur me votën e diasporës në zgjedhjet e 11 majit, kryesisht në Greqi.

Në shkresën e dërguar, PD-ASHM thekson se problematikat më të mëdha janë hasur me komprometimin e integritetit të fletës së votimit, rrezikimin e fshehtësisë së votës apo edhe pamjaftueshmërisë së mbikëqyrjes administrative. Përveç Greqisë, shqetësime janë ngritur edhe për procesin në Itali, Gjermani, SHBA, etj.

“Procesi i votimit të diasporës për zgjedhjet e 11 majit 2025 është shoqëruar me probleme të shumta që rrezikojnë seriozisht integritetin e procesit zgjedhor. Shkeljet më të rënda janë regjistruar në Greqi, ku jeton pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë, por probleme serioze janë verifikuar edhe në Itali, Gjermani, SHBA, MB (UK) dhe vende të tjera të BE-së. Shkeljet variojnë nga mungesa e transparencës procedurale, tek presioni politik, shpërndarja jozyrtare e fletëvotimeve dhe cenimi i fshehtësisë së votës etj.”, thuhet në shkresë.

Për këtë aleanca PD-ASHM, kërkon nga SPAK nisjen e hetimeve për blerje votash dhe përfshirjen e Partisë Socialiste në shpërndarjen e fletëve të votimit, si dhe dërgimin e një misioni emergjent të OSBE/ODIHR në qendrat kryesore të diasporës në Greqi.

“Masa të Kërkuara për Greqinë: 1. Audit i menjëhershëm i logjistikës transportit dhe dorëzimit të zarfeve nga Shqipëria në Greqi dhe anasjelltas.  2. Rishikim për pavlefshmëri të çdo vote të dorëzuar me zarf të pa vulosur apo të paplotë 3. Hetim penal nga SPAK për blerje votash dhe përfshirje të PS në shpërndarje votash 4. Dërgimi i një misioni emergjent të OSBE/ODIHR në qendrat kryesore të diasporës në Greqi. 5. Ndalimi i ndërmjetësve jozyrtarë në shpërndarjen dhe mbledhjen e votës vetëm DHL apo struktura të autorizuara”, thuhet në shkresën e dërguar KQZ-së.

Një ditë më parë edhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi deklaroi se me mijëra zarfe ende nuk janë shpërndarë, ku një pjesë prej tyre nuk është bërë e mundur kontaktimi i votuesve nga shërbimi postar.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të paraqiten vetë në zyrat postare me një ID për të tërhequr zarfin e tyre, ndërsa shtoi se “integriteti i procesit për votën e diasporës nuk mund të vihet në dyshim”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›