“Defektet” e fushatës, ekspertët: Mungoi përmbajtja, u përdor gjuhë joetike dhe stigmatizuese

Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga data e zgjedhjeve, shumë prej ekspertëve analizojnë mënyrën sesi liderët e partive politike u imponuan në publik gjatë fushatës elektorale.
Lektore në Universitetin e Tiranës, për Eva London u vu re një lloj stigmatizimi dhe sulmi ndaj njeri-tjetrit, që e zhvendosi vëmendjen nga programet.
“Nuk kemi çështje mbi të cilat ne të mundemi të monitorojmë qeverisjen që do të vijë, por ajo që na prezantohet si fushatë, si çështje të programit, janë reagime të partive ndaj sulmeve të partive të tjera. Duke u marrë me tjetrin stigmatizojnë qasjen politike të tjetrit, duke prekur edhe elemente shumë sensitive shoqërore. Edhe gjuha e ashpër që përdoret duke u marrë me paraqitjen fizike të dikujt, a nuk na emeton një sjellje shoqërore që lidhet me aspektin e bullizimit. Krijon ilaritet në publik, por për kandidatin politik, për liderin politik, për partinë, krijon kredite elektorale, sepse këto janë gjëra që masat i mbajnë mend kollaj. Sillen si kompani që bëjnë strategji për të tërhequr elektoratin në forma të lehta dhe jothelbësore. Populizmi e bën partinëpolitike të mbahet mend më lehtësisht në mendjet e publikut,” shprehet znj. Londo.
Përdorimi i simbolikave për të qenë interesant, jodomosdoshmërisht mund të ndikojë në elektorat. Për Arjeta Dhimën, gjuha e trupit la shumë për të dëshiruar.
“Për sa i përket gjuhës së folur nuk është ruajtur protokoll dhe etikë, sepse kanë zgjedhur të jenë viralë. Gjuha e trupit është shumë e rëndësishme. Jemi shumë larg asaj që pretendohet të jetë. Nuk mundet dikush të dalë me zhargon dhe të shkëmbejnë video me njëri-tjetrin. Nuk është etike. Kjo përkthehet në ‘like’, por nuk e dimë nëse ato përkthehen në vota,” thekson znj. Dhima, trajnuese e të folurit në publik.
Për ekspertët e IT-së, risia e kësaj e kësaj fushate ishte inteligjenca artificiale. Ndikimi i madh në mediet sociale lidhet edhe me milionat e dollarëve të harxhuara për sponsorizim nga kandidatët politikë.
“Duhet të dalësh nga linjat për të qenë popullor online dhe shumica e tyre kanë qenë njerëz kontraversë. janë bërë viralë duke thënë gjëra që njerëzit nuk i prisnin. Shifrat nëpër botë me ndikimin e medieve sociale tregojnë se nga 3–6 për qind mund të lëvizin audiencën nga njëparti në tjetrën. Në Shqipëri kjo shifër mund të jetë më e madhe, duke shkuar nga 5–10 për qind. Duhet të shohim se sa nga të rinjtë do të votojnë këtë vit. Por partitë politike nuk kanë pasur segmentim audiencash. Kanë pasur të njëjtin kontent në të gjitha mediet e tyre sociale. Kjo ishte një gabim, sepse në TikTok nuk mund të jesh njësoj si në Instagram dhe në Instagram si në Facebook, sepse audiencat janë të ndryshme… Vlera maksimale deri këto ditë është arritur vetëm nga një kandidat, rreth 40 mijë dollarë sponsorizime në mediet sociale, Instagram dhe Facebook,” tregon Tomi Kallanxhi, ekspert IT.
Por a përkthehen në vota “like”-t e marra, për shkak të këtij lloj popullaritetit? Kjo pyetje pritet të marrë përgjigje në datën 11 maj.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/