SHBA- Rusi shkëmbejnë të burgosurit, një balerinë amerikane u lirua në këmbim të një ruso-gjermani

“Shtetësja ruso-amerikane Ksenia Karelina, e cila po vuante një dënim me 12 vjet burg për tradhti në Rusi u lirua dhe po kthehet në SHBA”– njoftoi Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio.
“Ajo u ndalua gabimisht nga Rusia për më shumë se një vit dhe Presidenti i SHBA siguroi lirimin e saj”- tha ai, duke shtuar Trump do të vazhdojë të punojë për lirimin e të gjithë amerikanëve.
Ajo u arrestua në Jekaterinburg në fillim të vitit të kaluar, kur u rikthye në Rusi për të takuar familjarët e saj dhe u dënua për tradhti, pasi kreu një donacion prej rreth 50 dollarësh për një organizatë bamirëse me bazë në SHBA, që mbështeste Ukrainën.
Ajo u këmbye me Arthur Petrov, një shtetas ruso-gjerman që arrestua në Qipro në vitin 2023. Më vonë, ai u ekstradua në Shtetet e Bashkuara pasi tentoi të eksportonte në Rusi pajisje elektronike të prodhimit amerikan për përdorim ushtarak. 33-vjeçari përballej me 20 vjet burg në SHBA për shkelje të kontrolleve të eksportit.
Ish-balerina Karelina mori nënshtetësinë amerikane në vitin 2021 pasi u martua me një shtetas amerikan dhe u transferua në Los Angeles.
Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë tha se 33-vjeçarja mblodhi të ardhura në interes të një organizate ukrainase, të cilat më pas u përdorën për të blerë pajisje mjekësore, armë dhe municione për Forcat e Armatosura të Ukrainës.
Karelina u shpall fajtore për këto akuza në një gjyq të mbyllur në gusht të vitit të kaluar.
33-vjeçarja është shtetësja e dytë amerikane që lirohet nga Rusia që kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/