Mediat shqiptare i japin mësim emancipues medias greke
- Grekët zbulojnë Enver Hoxhën e tyre, Papandreun plak
- Emigrantët në Greqi tregojnë integritet e dinjitet më shumë se vendasit
- Greqia, përballë nevojës për reformë të thellë në mendim
U bënë disa ditë që Greqia është përfshirë në demonstrata, në flakë e në zjarr. Turma të pafundme janë përfshirë nga vullnete të dhunshme mbi pronat publike dhe private. Janë vetëm në Athinë 20 miliardë dëmet ekonomike, janë 176 të arrestuar, një adoleshent i vrarë si simbol i dhunës së policisë dhe valë të tjera demonstrimi që përhapen, ndizen, shuhen, ndizen, në vatra të ndryshme. Të gjitha këto janë të emëtuara gjerësisht në mediat greke e ato botërore. Por ajo që vihet re është një fakt shumë i rëndësishëm: mediat shqiptare, qoftë shtypi i shkruar, qoftë televizionet e fuqishme, si Top Channel apo Klan, kanë bërë një paraqitje korrekte, aspak pasionante. Përkundrazi, ndjehet aty një përshkrim profesional, po themi madje që në totalin e vet, ai është një informim cilësor e i kulturuar. Me këtë rast, gazetarët shqiptarë, ata të shtypit të shkruar, editorialistët, drejtorët e lajmeve, analistët, të gjithë janë përpjekur dhe kanë mishëruar së bashku një qendrim që është mësim, që shpreh kulturë e emancipim në raport me mediat greke, të cilat në vitin 1997 u treguan hiena të vërteta me revoltat e shqiptarëve. Ne e kujtojmë fare mirë emëtimin e ngjarjeve të Saerandës, Vlorës, kallashnikovëve përgjatë rrugës së Sarandës, detajet e përpjekjet e gazetarëve të caktuar të medias greke, që kur s’e gjenin atë që donin, e shpiknin, etj, etj. Të shkuara, të harruara! Prirje dhe shije të tilla, gazetarët shqiptarë dhe mediat shqiptare nuk i njohin dhe për këtë janë një shembull shumë i lartë qytetërues.
Sigurisht, ngjarjet në Greqi kanë një sfond social, ekonomik e politik shumë të thellë. Ato e kanë burimin veçanërisht te ajo politikë e gjatë e shtetit grek, të udhëhequr nga Papandreu i vjetër, i cili shfrytëzimin e vlerave të qytetërimit grek e aktualizoi me nevojat e strategjisë politike të SHBA-së, Anglisë e Francës për Greqinë. Tradita politike e djathtë e Greqisë në këtë pikë kishte dhe ka më shumë sinqeritet e transparencë, por socialisti Papandreu, që mbante mbyllur në shijet e tij shumë portrete komunistësh, nga më të neveritshmit në glob, që nga Fidel Kastroja a ndonjë aziatik i shpifur, e shihte traditën e politikës së djathtë greke, jo si një raport përkatësie reale, qytetërimore, por si një mundësi spekullimi, për të bërë atë sjellje që segmentet socialisto-komuniste e quanin pastaj “diplomaci të zgjuar”. Kështu që ai ndoqi një linjë që të çonte te thënia e famshme se “Greqia është gruaja e Perëndimit e dashnorja e Lindjes”. Hileqarë e të fshehur, siç janë të majtët, ai kujtonte se underground-et, qoftë fetare, qoftë antiamerikane, siç ishte lidhja shumë e fortë me Sirinë, do ta bënin atë një politikan të madh. Në fakt, nuk kishte asgjë inteligjente në këtë sjellje të tij, përveçse një pabesi të njohur të socialisto-komunistëve, që edhe kur janë në delegacion në Shtëpinë e Bardhë, janë të kompleksuar nga gjigandi amerikan, e si rrjedhojë presin të fiksuar se do t’u ndodhë ndonjë e keqe. Por nëse kjo sjellje e Papandreut, nga Perëndimi monitorohej dhe atij i lejohej të krihej pak si udhëheqës i madh, në fushën e ekonomisë, një socialist a kriptokomunist është thjesht një hajdut. Bilancet false dhe politikat e flakjes së prodhimit bujqësor, në det a në kalbje, për të përfituar para nga Evropa përmes dhjetëra grekëve që punojnë në organizmat e BE-së, arritën të krijonin një fond të madh ndihme dhe inkurajimi për zhvillimin e Greqisë. As Papandreu e as Greqia s’kanë dhënë ndonjë llogari tek BE-ja për këto. Ata morën lavdinë e suksesit dhe të zhvillimit të vendit, mirëpo të vërtetën ua lanë qytetarëve grekë. Dhe ata sot janë në rrugë, sepse u duhet të punojnë. Ata kanë zbuluar befasisht Enver Hoxhën e tyre, i cili me mjete krejt të tjera merrte çmimin e parë për ushqim në botë, por në fakt jepte mish e gjalpë me tollona. Natyrisht, ky është një përshkrim dhe jo një analizë e thellë edhe të shumë faktorëve të tjerë.
Por gjithsesi, duhet thënë me këtë rast, se vetë shoqëria greke, elita e saj, por edhe më poshtë, duhet ta largojë njëherë e mirë atë “shtesë kati” të një mirëqënieje që nuk e kanë, të një politike dhe rëndësie që nuk u takon për modestinë që kanë, dhe për më shumë mirëkuptim e realizëm me fqinjët, për një reagim më të mençur ndaj vlerave të të tjerëve dhe të mos i ngjajnë më fryrjes së kaposhit në një sekondë të vetme.
Natyrisht, ne si vend fqinj, aleatë në shumë strategji evropiane e euroatlantike urojmë e na intereson që atje të mbyllen sa më shpejt këto plagë revoltash. Dhe shenja e parë më serioze për këtë dëshirë dhe këtë qendrim tonin e kanë dhënë emigrantët tanë atje, madje duhet thënë se emigrantët shqiptarë janë elita e emigracionit në Greqi. Por të gjithë emigrantët që ndodhen në greqi, megjithëse kanë shumë arsye, kanë një memorie të ngarkuar nga dhuna e Policisë greke. Ata po tregohen të përmbajtur, nuk po përfshihen dhe këtë gjë, shoqëria dhe shteti grek duhet ta vlerësojë. Se mos o Zot, t’u bashkangjiten emigrantët vendasve në thyerjen e një dyqani dhe malli.
Gjithsesi, është rasti që gjithë kjo histori të shërbejë për të nxjerrë mësime, se shtetet janë si individët dhe askush prej tyre, në historinë e tij, nuk ka lënë pa provuar dorën e Zotit, ligjin e ekuilibrit.