E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vota në Tiranë, zbardhet vendimi i KQZ për numërimin

SHKRUAN: Fejzi Braushi 06-05-2011 10:40

Katër fletët e votimit për qytetarët e Tiranës e bëjnë disi të komplikuar procesin, ndaj edhe KQZ-ja u detyrua të bëjë një vendim të posaçëm për numërimin e votës. Sipas draft-vendimit, qytetarët e Tiranës, por edhe të gjithë Shqipërisë, do të njihen fillimisht me fituesin e Bashkisë, për të cilin kandidojnë Edi Rama, Lulzim Basha e Hysni Milloshi. Më pas, radhën e numërimit do ta kenë kutitë me votat për Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe vetëm në fund, fituesit e njësive vendore dhe këshillat e minibashkive. Një rend i tillë i shpalljes së rezultateve paraprake përcaktohet në mënyrë indirekte nga procedura që do të ndiqet për numërimin e kutive të votimit për rastin e Tiranës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë sot një vendim të posaçëm për KZAZ-të e kryeqytetit, i cili përcakton radhën e procesit të numërimit të votave.

Projekt-akti

Me kërkesë të socialistëve, por edhe nga fakti se për Bashkinë e Tiranës, Kodi Zgjedhor nuk parashikon një KZAZ të veçantë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur një udhëzim të veçantë për procesin e numërimit të votave dhe shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. Udhëzimi që do të kalojë sot për miratim nuk është gjë tjetër veçse një pasqyrim i asaj që përmban neni 116 i Kodit Zgjedhor, ku dhe përcaktohet procedura e numërimit të votave për gjithë vendin, përfshi këtu edhe Tiranën. Më konkretisht, Kodi Zgjedhor në këtë nen përcakton se “KZAZ-ja merr vendim për fillimin e numërimit të votave, vetëm pasi të ketë marrë në dorëzim të gjitha kutitë e votimit me fletët e votimit dhe kutitë e materialeve të votimit nga të gjitha qendrat e votimit nën juridiksionin e saj. Për Bashkinë e Tiranës, KZAZ-ja e njësisë bashkiake fillon numërimin sipas këtij rendi: a) kutitë e votimit për Kryetar të Bashkisë së Tiranës dhe të Këshillit Bashkiak të Tiranës, b) kutitë e votimit për kryetarin e njësisë bashkiake dhe të këshillit të njësisë bashkiake”. Referuar fjalë për fjalë kësaj dispozite, KQZ në projekt-aktin e vet nuk bën gjë tjetër veçse qartëson se për Bashkinë e Tiranës, KZAZ-ja e Njësisë Bashkiake fillon numërimin e kutive të votimit për kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake, vetëm pasi ka përfunduar numërimi i kutive të votimit për kryetarin dhe këshillin e Bashkisë së Tiranës për të gjitha QV-të nën juridiksionin e saj.

Procedura

Për rrjedhojë, çdo GNV do ta nisë numërimin nga kutitë për kryetarin e bashkisë. Anëtarët e grupeve të numërimit, me radhë dhe vetëm sipas numrit rendor rritës të qendrave të votimit, marrin nga stiva e kutive ato me fletët e votimit dhe kutinë respektive me materialet e votimit të vetëm një qendre votimi dhe i vendosin pranë tryezës së Grupit të Numërimit përkatës. Pas kryerjes së procedurave verifikuese të vulave, numëruesi i parë numëron fletët e votimit të papërdorura dhe në përfundim të numërimit ia bën të ditur shifrën anëtarëve të Grupit të Numërimit dhe vëzhguesve të subjekteve zgjedhore. Sekretari i Grupit të Numërimit bën verifikimin e shifrës së deklaruar me atë që është shënuar në procesverbalin për Mbylljen e Votimit. E njëjta procedurë kryhet dhe për fletët e dëmtuara të votimit. Pas kësaj, numëruesi i parë i Grupit të Numërimit mbyll kutinë e Materialeve të Votimit me vula me kode sigurie, duke lënë jashtë kutisë Procesverbalin për Mbylljen e Votimit. Në vijim, numëruesi i parë vendos mbi tryezë kutinë e votimit me fletët e votimit dhe e hap atë, duke këputur vulat me kodet e sigurisë dhe më pas fillon numërimi. Si pasojë e kësaj procedure, edhe rezultatet e para do mund të dalin për kryetarin e bashkisë dhe më pas me radhë për këshillin bashkiak të Tiranës, kryetarin e njësisë miniashkiake dhe këshillin e saj. Duhet theksuar se në rastin e rezultateve për kryetarin e Bashkisë dhe këshillit bashkiak të Tiranës, ato i administron KQZ, e cila në këtë rast merr rolin e KZAZ-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›