E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boja matrikulluese, laboratori: Nuk fshihet për 24 orë

Boja matrikulluese që do të përdoret për të shenjuar votuesit ditën e zgjedhjeve është brenda parametrave të kërkuara nga vetë vendimmarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Laboratori i Inspektoriatit Qendror Teknik, pasi ka analizuar mostrat e bojës së marrë në mënyrë rastësore në magazinat e Lundrës, i ka kthyer përgjigjen e analizave të saj nëpërmjet një letre sqaruese Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku thekson se ajo plotëson kërkesat fiziko-kimike për të vepruar pa u fshirë për të paktën 24 orë. “Nga ana fiziko-kimike dhe organo-leptike rezultoi se: boja matrikulluese e ambalazhuar me stilolapsa plotëson kërkesat së bashku me karakteristikat e përcaktuara në vendimin e KQZ-së nr.17, datë 24.01.2011”, - shkruan laboratori në përgjigjen e vet drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Duke detajuar të dhënat për bojën, laboratori i IQK-së sqaron se boja matrikulluese e ambalazhuar në stilolapsa ka si karakteristikë të sajën ngjyrën e zezë, të dukshme me sy të lirë. Gjithashtu, ajo ka veti që tri minuta nga vendosja në gisht (në lëkurë) dhe në praninë e dritës natyrale ajo mund të thahet dhe të mos hiqet të paktën për 24 orë. “Pas testimit të bërë në disa persona, të cilët vazhduan aktivitetin e tyre normal, u konstatua se në kontrollet që u bënë pas 12, 18 dhe 24 orëve boja ruante qëndrueshmërinë dhe ishte e dallueshme. Tharja e bojës bëhet brenda 3 minutave”, - thuhet në fletanalizën e laboratorit. Përsa i përket analizës fiziko-kimike bëhet e ditur se përmbajtja e nitratit të argjendit është në masën 20 deri në 21 për qind. Për më tepër, boja, sqarohet në këtë përgjigje, nuk dëmton lëkurën dhe mbi të gjitha pas testimeve të kryera nën efektet e agjentëve atmosferikë ajo jo vetëm që nuk u dëmtua, por nën veprimin e tyre qëndrueshmëria e saj ritet edhe më tej. Megjithatë, shkresa e laboratorit nuk i jep përgjigje shqetësimeve të ngritura nga PS-ja përsa i përket rasteve kur boja tentohet të fshihet me elemente të tjera si uji, benzina etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›