Vulat rezervë, Kolegji Zgjedhor rrëzon ankimin e PS-së
Vulat rezervë, të prodhuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë të ligjshme. Kolegji Zgjedhor ka hedhur poshtë, si të pabazuar në argumente dhe fakte, pretendimet e ngritura nga socialistët, të cilët ngulmuan se vendimi për prodhimin e 4882 vulave rezervë ishte marrë pa asnjë bazë ligjore. Në këtë mënyrë, KQZ do të ketë mundësi që nëpërmjet kësaj mase paraprake të mund të neutralizojë çdo tentativë të ndonjë force politike për të tërhequr komisionerët e saj, së bashku me vulat, nga komisionet e qendrave të votimit, me qëllim bllokimin e procesit.
Ankimi i socialistëve
Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit ka zhvilluar dje seancën e fundit gjyqësore për këtë fazë, para ditës së zgjedhjeve, ku ka marrë në shqyrtim kërkesën ankimore të paraqitur nga Partia Socialiste për vulat rezervë. Më konkretisht, kërkesa e socialistëve kërkonte rrëzimin e vendimit të KQZ-së për prodhimin e 4882 vulave rezervë, kaq sa janë edhe qendra votimi. Nëpërmjet avokatit të vet Eno Bushi, pala ankimuese ka paraqitur një sërë arsyesh pse ky akt i miratuar nga KQZ-ja duhet të shpallet i pavlefshëm. Së pari, ai ka pretenduar se akti është i pavlefshëm për shkak të mënyrës së votimit, duke evidentuar se bëhet fjalë për akt-normativ që, për t’u miratuar, duhen minimumi 5 vota. Lidhur me këtë, ai ka paraqitur si argument se vendimi i KQZ-së normon një veprimtari që ka të bëjë me të gjitha qendrat e votimit në të gjithë vendin. Një tjetër argument i sjellë prej tij ka qenë edhe ai që Kodi Zgjedhor nuk lejon të prodhohen më shumë vula, sesa ato për kryetarin dhe sekretarin e çdo QV-je. Ndaj prodhimi i 4882 vulave rezervë, sipas palës ankimuese, është i paligjshëm. Këto kanë qenë dy elementet bazë të mbrojtjes së PS-së dhe që kanë të bëjnë me anën juridike të këtij akti, pasi në tërësi ata i kanë mëshuar fort edhe anës së cenimit të sigurisë që krijohet nga qarkullimi i vulave rezervë. Sipas tyre, një situatë e tillë mund të sjellë kushtet për manipulime të procesit zgjedhor.
Vendimi i Kolegjit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka qenë dakord me këto argumente, si palë e goditur në këtë proces. Drejtoresha juridike e KQZ-së, Dëshira Pasko, ka theksuar që në fillim se është një arsye e ligjshme për institucionin që ajo përfaqëson marrja e masave parandaluese për akte apo veprime të paligjshme që mund të vijnë nga komisionerë të veçantë apo në grup, duke u larguar së bashku me vulën. “Ndaj -ka bërë të ditur ajo- KQZ, nisur nga qëllimi për të siguruar të drejtën e shtetasve shqiptarë për të votuar, ka ndërmarrë një hap të tillë, duke nxjerrë një akt të posaçëm për të prodhuar vula rezervë që mund të përdoren në çdo moment që do të ketë largim komisionerësh, së bashku me vulat. Më tej, duke iu përmbajtur anës ligjore, ajo ka sqaruar Kolegjin se KQZ me këtë akt ka bërë të mundur vetëm prodhimin e vulave, të drejtë të cilën Kodi ia njeh gjatë ditës së zgjedhjeve apo më parë, kur një anëtar QV-je e humbet atë. Ndërkohë, ajo ka siguruar se për përdorimin e tyre do të ketë për çdo rast një vendimmarrje të KQZ-së, e cila do të autorizojë KZAZ-të përkatëse që të tërheqin vulat rezervë pranë zyrave të saj rajonale. Madje, Pasko ka sqaruar se ky diskutim në këtë kohë është i panevojshëm, pasi ky akt efektet e tij i ka dhënë, pasi vulat janë prodhuar. Në të njëjtat linja argumentimi ka qenë dhe përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso, duke shtuar se me këtë veprim shpëtohet procesi nga skenarët e bllokimit. Pas konsultimit, Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit ka vendosur të rrëzojë kërkesën e bërë nga socialistët, si të pambështetur në prova dhe fakte, duke lënë kështu në fuqi vendimmarrjen e KQZ-së për prodhimin e vulave rezervë.