Vota popullore, fitues koalicioni i djathtë

Koalicioni i mazhorancës "Aleanca për qytetarin" dominon me më shumë vota se koalicioni "Aleanca për të ardhmen". “Aleanca për Qytetarin”, e kryesuar nga Partia Demokratike numëron 682 696 vota, ndërsa “Aleanca për të Ardhmen” ka marrë vetëm 612 781 vota.
Në përllogaritjen e përgjithshme rezultojnë dhe 70 608 vota të dhëna për partitë jashtë dy koalicioneve.
Me përfundimin e numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit për 64 bashki, nga 65 përveç Tiranës rezulton se në përgjithësi fitues është koalicioni i djathtë, përfshi këtu edhe komunat.
Në rang kombëtar, PS rezulton të ketë fituar 401 927, PD 309 442 dhe LSI 108 246.
Sa i përket garës së ethshme të kryeqytetit sipas të dhënave të KQZ-së rezulton se "Aleanca për qytetarin" ka 100 054 vota, “Aleanca për të Ardhmen” 101 689 dhe partitë jashtë koalicioneve 3699 vota .
Por dhe në ato bashki ku ka humbur PD-ja, në disa raste, elektorati ka votuar Partinë Demokratike si subjekt, duke mos votuar kandidatin për cilësitë e tij.
Dhe pse ka fituar disa nga bashkitë kryesore, Vlorën, Beratin, Korçën, Sarandën, Elbasanin, Partia Socialiste dhe koalicioni i saj nuk kanë arritur të grumbullojnë shumicën e votave popullore.
Në të gjitha bashkitë apo komunat e fituara nga koalicionet, kandidatët kanë marrë më shumë vota se subjektet politike që i kanë mbështetur, duke u vlerësuar më shumë edhe për cilësitë individuale të tyre.