Topi: Të mbyllet sa më shpejt numërimi i votave

Kreu i shtetit Bamir Topi ka ritheksuar rëndësinë e përmbylljes sa më shpejtë dhe në mënyrë korrekte të procesit të numërit të votave.
Në një takim me delegacioni parlamentar të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, kreu i shtetit ka theksuar se numërimi duhet të shpreh vullnetin e popullit.
“Procesi i numërimit të votave që pasqyrojnë shprehjen e qartë të vullnetit të qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet vendore të 8 majit, duhet të përfundojë sa më shpejtë në mënyrë që Shqipëria të hedhë edhe një hap tjetër përpara drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian”, theksoi Topi.
Ndërkohë delegacioni parlamentar i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta ka shprehur përkrahjen dhe mbështetjen për përpjekjet integruese të Shqipërisë në familjen evropiane, “si një perspektivë e qartë në interes edhe të vetë Evropës”.
Gjithashtu, delegacioni parlamentar hollandez vlerësoi lart rolin pozitiv dhe moderator të Shqipërisë në rajon në favor të paqes dhe qëndrueshmërisë së tij afatgjatë me synimin e integrimit të plotë të gjitha vendeve ballkanike në Bashkimin Evropian.