Vota unike - Shqipëria në NATO

Konsensus parlamentar për ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë në aleancën më të madhe ushtarake të botës. Shqipëria çertifikohet si vend që eksporton stabilitet, ndërkohë që anëtarësimi do të inkurajojë një fluks të ri investimesh në vend. Pas samitit të Këlnit, vjen sprova e liberalizimit të vizave dhe e kandidimit për në BE, axhenda e pritshme e kabinetit qeveritar “Berisha 2”
Si rrallëherë në historinë e krijimit të tij, Kuvendi i Shqipërisë mbajti dje një nga seancat më solemne të parlamentarizmit shqiptar në të gjithë zhvillimet historike të vendit. Miratimin e paketës ligjore, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ishte eventi historik që u përjetua gjatë punimeve të seancës së djeshme. Në një sfond me simbole dhe flamujt të vendeve anëtare të NATO-s, Parlamenti shqiptar, mbylli siparin e një procesi ratifikimesh, i cili u kurorëzua në një kohë rekord, me votimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë nga parlamentet, senatet dhe qeveritë e 26 vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut. Pas ratifikimit që 26 vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut i bënë Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO-s, dje deputetët e Kuvendit shqiptar votuan në mënyrë simbolike, fillimisht disa projektligje dhe më pas në tërësi, gjithë paketën e aderimit të Shqipërisë në NATO.
Me 108 vota pro, asnjë abstenim dhe asnjë kundra, Kuvendi miratoi Protokollin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Zyrtarisht Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s pas 7 ditësh, ku në Samitin e Stasburgut dhe Kehl-nit, i cili do të zhvillohet në datat 3 dhe 4 prill, samit i cili përkon dhe me 60 vjetorin e krijimit të NATO-s, ku vendi ynë do të rreshtohet përkrah vendeve të tjera të Aleancës më të madhe në botë, asaj të Atlantikut të Veriut.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në fjalën e saj përshëndetëse vlerësoi se parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s votuan rezultatet e reformave që qeveria ka bërë, votuan një Shqipëri që në këto vite është transformuar në mënyrë marramendëse. “Sot është një ditë e veçantë për Parlamentin. Ne sot do votojmë paketën e anëtarësimit në NATO. Ne sot marrim përsipër angazhimet tona për të kontribuar në Organizatën e Traktatit të Veriut. Ne sot votojmë Shqipërinë në NATO, pasi 26 vende anëtare e kanë ratifikuar atë. Ne i falënderojmë vendet e NATO-s që në qeveritë, parlamentet e senatet e tyre, votuan për ne, votuan rezultatet e reformave që ne kemi bërë, votuan një Shqipëri që në këto vite është transformuar në mënyrë marramendëse. Ata na besuan ne që të përballemi në krah të SHBA, Evropës, Kanadasë, me sfidat e këtij shekulli. Mirënjohje të veçantë SHBA, mirënjohje Evropës, mirënjohje Kanadasë dhe Turqisë. Sot është një ditë historike, sot ne shpërblehemi për sakrificat, punën, besimin, përpjekjet titanike të çdo burri, gruaje, të çdo shqiptari. Sot Shqipëria e sheh veten qartë të vendosur në anën e mbarë të historisë. Më lejoni si Kryetare e Kuvendit të falënderoj të gjithë deputetët që punuan për këtë ditë”, u shpreh Topalli në fillimin e seancës së djeshme. Ndër të tjera Topalli u shpreh se tashmë “Garen e NATO-s, e fituam, do të fitojmë dhe garën për zgjedhje të lira”, tha Kryetarja e Kuvendit.
Këtë event historik e përshëndetën më tej përfaqësues të grupeve parlamentare, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë demokratike Astrit Patozi cilësoi si dhe Kryetarja e Grupit parlamentar socialist Valentina Leskaj. Të pranishëm gjatë seancës së djeshme në kuvend ishin dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë si dhe Presidenti i Parlamentit të Polonisë, në cilësinë e të ftuarit të posaçëm, nga Kryetarja e Kuvendit.
...