Familjarët: Telefonata e fundit me vajzën para se të vdiste
Pogradec- Familjarët, të shokuar nga vetëflijimi i vajzës sw tyre, si shkak i kundërshtimit tw fejesës nga ata, nuk kanë mundur dot ta besojnë se vajza e tyre i ka dhënë fund jetës menjëherë pasi ka përfunduar një telefonatë me ta, ku kishin folur për një mblesëri të mundshme. Por vajza pikërisht këtë nuk ka pranuar, prandaj ka vendosur të marrë vendimin ekstrem duke u hedhur nga dritarja e katit të katërt.
Hetimi
Vetëflijimi i studentes 19-vjeçare, Zhaneta Begaj, ka vënë në punë policinë e Korçës e cila po heton ngjarjen, ndërsa ka pasuruar dosjen dhe me dëshmi të reja për 19-vjeçaren fatkeqe. Mësohet se vajza vetëm disa çaste para se t’i jepte fund jetës ishte duke komunikuar në telefon me prindërit e saj. Ata kanë qenë duke debatuar fort, lidhur me fejesën me shkuesi që kishin vendosur për të renë, e cila nuk mund të pranonte kurrsesi që të vendosej për jetën e saj, pa pëlqimin e asaj vetë. Debati me prindërit ka zgjatur shumë në kohë, ndërsa këta të fundit nuk kanë mundur ta besojnë, kur Policia e Pogradecit i ka vënë në dijeni për ngjarjen. Ata fillimisht kanë menduar se bëhej fjalë për ndonjë ngatwrresë, ndërsa kanë bërë me dije se sapo kishin mbyllur telefonatën me vajzën e tyre. Në fakt e kanë vërtetuar gjithçka kur telefoni i vajzës ka qenë i fikur, ndërkohë që 19- vjeçarja, studente në vitin e parë, dega Biokimi në universitetin “Fan Noli” në Korçë, kishte përfunduar si kufomë në morgun e spitalit të Korçës. “Vetëm kur pamë televizionet e besuam atë që na kishte ngjarë. Kjo është e tmerrshme. Nuk arrijmë ta besojmë se e vramë me duart tona, vetëm se deshim ta fejonim” kanë pohuar në polici prindërit e vajzës. Ata e kanë tërhequr trupin e pajetë të studentes në mbrëmjen e vonë të së hënës nga morgu i Korçës. Gjatë të martës, trupi i pajetë i Zhaneta Begajt është përcjellë për në banesën e fundit. Shumë shokë të universitetit kanë udhëtuar drejt fshatit Radokal, në rrethin e Pogradecit, për të marrë pjesë në ceremoninë mortore e cila ka shokuar universitetin juglindor dhe konviktin ku ka ndodhur ngjarja.