Votë apo veto?
VOTË & VETO, apo VOTË VS VETO? Do të arrijë Partia Socialiste dhe lidershipi i saj të vërë kundër vetos, votën e lire, brenda strukturave të saj? Deri tani, sidomos pas zbardhjes në shtyp të batutave mes Blushit, Ramës, Bares, Toçit, vëmë re me shumë keqardhje, që vota dhe vetoja janë njësuar brenda Partisë Socialiste. Në atë dialog, u vu re që Rama e sheh ende Votën e lire, të pashkëputur nga format autoritariste dhe të diktatit, që ofron vetoja. Brenda Partisë Socialiste tashmë ekziston fenomeni i votës së defaktorizuar, të devalorizuar. Mundësisht, me një veto kryetari, votat e lira brenda strukturave të PS-së janë all inclusive (të gjithëpërfshira), apo të përthithura nga diktati i Unit. Vota e lirë është shndërruar në një koncept, jo në një realitet. Kjo duket nga kontestimet e vazhdueshme, që kanë shoqëruar zgjedhjet e Ramës në krye të forcës së majtë në Shqipëri, ku dhe është përfolur gjatë për vjedhje votash dhe blerje votash. Për këtë shkak, kauza e luftës për votën e lirë të shqiptarëve, që po lançon prej 8 muajsh, tingëllon krejt e pabesueshme, jo vetëm për publikun në përgjithësi, por edhe për vetë anëtarët e PS-së, të cilët po ndjejnë presionin e lidershipit prej shumë kohësh, dhe lirinë e kanë tashmë mjaft të limituar. Një nga batutat që Rama i drejtoi në publikun e ngushtë të deputetëve socialistë Blushit, është liria jote mbaron te liria ime. Në konceptin e përgjithshëm është e vërtetë, që liria e gjithkujt mbaron te liria e tjetrit. Është e vërtetë që liria është e të gjithëve, midis të gjithëve, për të gjithë. Liri midis të gjithëve është për konsekuencë një respekt reciprok, në bazë të çdo bashkëjetese civile. Çfarë respekti reciprok ka në bazë të një dialogu, ku tjetrit i thuhet mjaft ke folur, kemi 8 muaj që të dëgjojmë ty etj. Por, është e vërtetë, kur lidershipi socialist shprehet: Këtu vendos unë, thoni çfarë të doni, liria relative e gjithkujt mbaron te liria absolute e lidershipit. Në një rast të tillë, nuk kemi liri midis të gjithëve, nuk kemi as liri për të gjithë, por vetëm për më të pasurit, dhe më të fuqishmit, si një koncept që ka për sinonim një barkë shpëtimi, për të bërë çfarë të duash. Dhe shprehja e liderit socialist: Do të bëhet siç them unë e vërteton katërcipërisht këtë devijim, që po na e shet sot e gjithë ditën. Këto batuta që të ngjallin trishtim, transmetojnë një klimë dhune, dhe humbje durimi brenda vetë strukturave socialiste. Ajo që po e rrit dhunën brenda këtyre strukturave është dëshira për një pushtet pa limit.
Memoria historike është e rëndësishme, për t'iu dorëzuar brezave dëshmi që të përbëjnë vlerë dhe jo rikthim mbrapa, të disa praktikave nga të cila kemi dalë vazhdimisht të humbur. Memoria fiton gjithmonë mbi hiçin. Dhe ajo na kthen pas në vitet e diktaturës, kohë në të cilën, vërtet lidershipi nuk mund të kritikohej, por kolegët kritikoheshin dhe mund të viheshin në një shënjestër, që ishte deri shkatërruese për ta. Të mohosh sot të drejtën e kritikës, do të thotë që të jesh mjaft larg frymës së re dhe politikës së re. Të dialogosh brenda një grupi me shprehje Nuk lejoj njeri të kritikojë kolegët do të thotë të na kthesh 50-60 vjet mbrapa. Shprehje të kësaj natyre janë dëshmi të një fryme arkaike, dhe politike arkaike. Edhe në mbledhjen e grupit parlamentar nuk u lejuan, që të flisnin deputetët e LMN-së, (me teorinë e zhurmuesve) dhe tentativat e tyre për të analizuar arsyet e një bojkoti absurd, por edhe hapat që duheshin ndërmarrë u bllokuan me një ashpërsi dhe urrejtje të pakuptueshme - shprehet deputeti i PS-së, Marko Bello. Ku janë ato nocione, që çdo ditë dëgjojmë nëpër media, për lirinë, të drejtën, barazinë e drejtësinë? Të majtët, në vitin 1789 arritën të bllokonin veton absolute të mbretit, në Francë, nëpërmjet votës së lirë, ndërsa sot pas 3 shekujsh, nuk po mundin dot të japin votën e lirë, për heqjen e vetos së kreut të tyre. Të kthehesh përsëri tek koncepti i vetos, do të thotë të kesh pranuar humbjen pa kushte të kësaj ideologjie. Që nga ky moment, mund të themi që PS-ja e mendimit ndryshe, nuk ekziston më. Një parti hermetike, ku nuk pipëtin askush tjetër, përveç kryetarit, një forcë politike që nuk e preferon më debatin, një grup i nënshtruar me vetëdije urdhrit dhe kushtrimit nga lart, - vazhdon Bello.
Ajo që e bën frymën apo politikën e Ramës, po aq arkaike, është prodhimi i krizave. Këtë fenomen kemi gati 20 vjet demokraci, që e përjetojmë. Kriza nuk është, as frymë e re, as politikë e re. Në qoftë se, Rama do tregohej dialogues, i hapur ndaj kundërshtarit, tolerues, mund të bindte realisht elektoratin për një frymë të re dhe politikë të re. Të jesh modern, nuk do të thotë të jesh i ri në mendime, dhe në politika. Të jesh mediatik nuk do të thotë të jesh edhe i suksesshëm në politikë. Po të bëjmë një paralelizëm me Britaninë e Madhe, Gordon Braun, pasardhësi i Tony Blair, është mundur në sondazhe nga rivali konservator. Prej dy vitesh Braun është mbrapa në sondazhe ndaj David Cameron. Por në muajt e fundit konservatorët kanë kaluar sipas sondazheve nga 42% në 37 %, ndërsa laburistët kanë pasur një rritje të lehtë nga 32 në 33%. Komentatorët e shpjegojnë, jo si një entuziazëm të ri për kryeministrin aktual, se sa si një rënie e besimit ndaj konservatorëve. Kjo ka lidhje me aftësinë për të qeverisur, në një ekonomi në krizë, dhe për të dalë prej saj. Cameron, i ri dhe shumë karizmatik, nuk mjafton për një besueshmëri të elektoratit, gjithmonë sipas komentatorëve, pasi askush nuk e di ekzaktësisht programin e tij, dhe çfarë i ofron ai vendit, për të dalë nga kriza.
E bëra këtë paralelizëm për të treguar, se Rama ka punuar shumë në karizmën televizive, në lëvizje populiste, në prezantime konceptesh shumë idealistike, pa arritur të japë një program të qartë, se çfarë do të ofrojë ekzaktësisht të re, gjatë qeverisjes së tij. Paralelizmin me Britaninë e Madhe e bëra edhe për një arsye tjetër. Në qoftë se, në Angli, konservatori Cameron duket shumë më modern dhe i rinovuar se partia e tij, në Shqipëri po ndodh e kundërta. Të rinjtë modernë, në dukje dhe të shkolluar jashtë vendit, të sapo infiltruar në Partinë Socialiste, po manifestojnë një pranim të diktatit dhe moslejim të frymës së dialogut, duke u shfaqur, tejet arkaikë. Dhe janë të vjetrit, brenda asaj partie, që po kërkojnë lirinë dhe demokracinë e brendshme, ekzistuese më parë në PS-së. Vota e lirë për Ramën po përbën rrezik brenda forcës së tij politike që ai po udhëheq. Fakti që nga LMN-ja po kërkohet, që vendimet politike të përgatiten nga kryesia e Partisë Socialiste tregon, se lidershipi ka zgjedhur të vendosë veton absolute të tij. Fakti që LMN-ja kërkon të funksionojnë forumet, të cilat rrisin cilësinë e vendimeve politike, tregon që ai po lufton për forcimin e vetos brenda PS-së. Kjo na bën të besojmë, se edhe jashtë strukturave të PS-së, nuk është i sinqertë në luftën për votën e lirë, por po përpiqet të kuptojë deri ku arrin forca e vetos së tij, për ta shfrytëzuar më pas, në zgjedhjet e ardhshme. Fakti që ka kaluar në politika kapriçoze dhe qesharake, tregon që kjo matje pulsi, jashtë dhe brenda strukturave, nuk ka funksionuar. Brenda partisë së tij ai e ka tashmë të lehtë t'i reflektojë këto politika të vetos, duke mbytur mendimin ndryshe, apo në të kundërt, duke ndjekur politika përjashtuese, kundrejt tyre. Jashtë strukturave të tij e ka shumë të vështirë t'i ndjekë këto politika, sepse do të bëhet qesharak në sytë e faktorit të brendshëm dhe i pabesueshëm në sytë e faktorit ndërkombëtar. Ti japë liri votës së lirë brenda PS-së, që të na bëjë të besojmë që është i sinqertë në nismën deri kur në këtë vend, të vendoset një e drejtë, që ne kurrë nuk do e lemë peng (Rama). Me politikat e vetos, çfarë shembulli dhe garancie i jep elektoratit, që vota e lirë ka vlerë për të? Sot për sot, brenda PS-së, askush nuk arrin të bëjë një kritikë. Ata janë shndërruar në forca me unimendim, pa kritika dhe diversitet. Pa dialog brenda partisë, nuk mund të ketë dialog jashtë strukturave të saj. Kjo e bën atë force, jo të besueshme, që të mund të dialogojë me kundërshtarin politik. Dhe dialogu absurd brenda partisë, po refle