Votë për ata që përfaqësojnë suksesin
Nasho Bakalli/Qytetar
-A ka mundësi shoqëria shqiptare të shohë përreth dhe të njohë kandidatët e rinj për deputetë që jetojnë mes nesh? Kjo është edhe një pyetje e vështirë sepse nuk ka të bëjë thjeshtë me ata si emra, si të majtë, si qytetarë, por ka të bëjë më shumë me zotësinë tonë që jo vetëm ti dallojmë ata, por edhe t’ua pranojmë punën, veprat, aktet e tyre të deritanishme. Të rrish përballë ekranit, pra përballë ca analistëve që e kanë lënë analizën dhe kanë përqafuar skenën, e të ndjehesh i izoluar, i trullosur, nga çfarë dëgjon, është gjëja më e lehtë.
Të rrish përballë ekranit, i pasur apo i varfër qofsh, dhe t’i qash hallin Malos apo Balos se nuk ishte në listën e kandidatëve për deputetë është një mëkat i pafalshëm. Po aq i pafalshëm është edhe mendimi se shpirti ynë është e mbushur vetëm me zemërim, urrejtje, dhunë dhe kaos. Sa më sipër janë vetëm imazhe në ekran, janë imazhe të paprekshme dhe të pandryshueshme nga çdo gjë që ne e quajmë punë, vepër, akt human. Dhe në këtë prag zgjedhjesh politike, mbi të gjitha, më e rëndësishmja është që ne, mes kandidatëve të rinj për deputetë të gjejmë për të votuar ato figura të cilat spikatin fort si përfaqësuese të punës, të së mirës, të drejtësisë. Të zgjedhim për deputetë ata të majtë të cilët mund ti ndjejmë realisht se do të jenë agjentë të ndryshimit brenda dhe jashtë aulës së Kuvendit. Agjentë që përfaqësojnë punën, veprën.
Cilën vepër? Veprën se: populli nuk është një kaqol arash, se populli nuk është kot. Që do të thotë, gjithashtu, se njerëzit e mirë dhe të drejtë ekzistojnë, dhe se janë kandiduar për të imponuar ndryshimin ndaj një bote ngulmimi i së cilës për ndryshim është shumë i madh. Ky është misioni i vërtetë e peshëmadh që deputetët luajnë në jetët tona, mendoj unë. Ata na japin ne shpresë, ata përfaqësojnë idealet, dhe më e rëndësishmja është se ata na provojnë ne se vepra është e mundur, dhe se puna-vepra nënkupton përfaqësimin kur ju (të mbeturit jashtë liste - me në krye mercenarët) kishit frikë të përfaqësonit dhe të bënit diferencën - kur e djathta çirrej se ju kurrë nuk do të sillni ndryshimin. Por ka edhe një problem. Roli i deputetit deri më sot shpesh ka dështuar. Sepse ai ka ndjerë që ne bëjmë shumë pak në lidhje me atë të keqe që po ndodh rreth nesh; kur nuk ka asnjë protestë apo veprim të aftë për të ndryshuar këtë realitet.
E kjo ndodh ngaqë koha e gjatë, në diktaturë dhe në demokraturë na mësuan ta ndjejmë erën e dhunës, edhe kur ajo është larg. Gjithsesi, ka ende disa qeliza të mbetura gjalle në trurin tonë të cilat thërrasin: lëreni frikën mbrapa. Kjo, një fjalë goje, kur në punë, shoqëri, familje, mass media shkëmbejmë mesazhe vetëm për gjëra të ftohta dhe të dhimbshme. I shohim - të ftohtat e të dhimbshmet- dhe si lëkurëtrashë që jemi i mburremi vetes se jemi realistë e largpamës, ndërsa në të vërtetë ne kemi frikë të shpresojmë; ne kemi frikë të luftojmë; ne vdesim të merremi me mullixhiun për inat të vjehrrës. Tek e fundit, ne jemi ata që kemi nevojë për deputetë të hajrit dhe për ta plotësuar këtë nevojë le ti njohim dhe pranojmë ata si njerëz të vërtetë, punëtorë, të rregullt, të besueshëm si veten tonë. E këto imazhe të reja, të paprekshme, të pamohueshme duhet ti pranojmë përballë ekranit, dhe më pas me votë.