E Diel, 1 Nëntor 2026

Votimi elektronik në dy zona, teknologjia aplikohet në njësinë 10 në Tiranë dhe në Vorë

Më datë 11 maj në njësinë bashkiake numër 10 në kryeqytet dhe në Vorë do të votohet elektronikisht.

Prej datës 24 prill Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po teston dhe informon qytetarët për mënyrën se si do të votohet elektronikisht në zgjedhjet e 11 majit.

Me dakordësi të palëve politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në territorin e Shqipërisë të votohet në mënyrë elektronike vetëm në dy zona në Vorë dhe në njësinë 10 në Tiranë.

Stafi i rekrutuar nga KQZ do të vijojë të informojë qytetarët e dy zonave përkatëse për të gjithë procedurën e votimit.

Në zonën e njësisë 10 do të kenë mundësinë për të votuar rreth 40 mijë votues, ndërsa në Vorë rreth 30 mijë.

Sipas informacioneve të marra, Vizion Plus mëson se interesimi më i lartë nga qytetarët është nga moshat e treta për shkak të domosdoshmërisë për të mësuar përdorimin e pajisjes elektronike.

Për here të parë, votimi dhe numërimi elektronik u provua në zgjedhjet e vitit 2021, në njësinë 10 në kryeqytet, po ashtu në vitin 2023, u zgjerua në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë.

Votimi dhe numërimi elektronik mundësojnë rezultate të shpejta nga mbyllja e votimit, duke shmangur vonesat apo konfliktet./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›