E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votimi i 16-vjecareve Patozi takon Rucin PS Te mos ndryshojme rregullat e lojes

Socialistët edhe zyrtarisht kanë refuzuar nismën e kryetarit të mazhorancës për uljen e moshës së votimit për të rinjtë nga 18 në 16 vjeç. Astrit Patozi, i ngarkuari i Berishës për negociata e takoi larg kamerave homologun socialist, por Gramoz Ruci nuk u bind. ABC News mësoi se kryetari i grupit parlamentar demokrat theksoi gjatë takimit se dhënia e të drejtës së votimit 16 vjeçarëve është lehtësisht e aplikueshme. Për më tepër ka sjellë në vëmendje Patozi, kjo nismë vjen si vlerë e shtuar në procesin zgjedhor, teksa u krijon të rinjëve të kësaj moshe mundësinë për të ushtruar të drejtëne votës, duke u njohur përgjegjësinë edhe atyre për zgjedhjen e qeverisë se ardhshme.  Kreu i deputetëve socialist ka thënë se është vonë për të ndërhyrë në Kushtetutë dhe ligjin e zgjedhjeve dhe se rregullat e lojës nuk mund të ndryshohen tashmë që loja ka nisur.
Nga ana tjetër Ruçi ka thënë se shumë çështje nuk kanë marrë zgjidhje, një ndër to dhe vota e emigranteve, ndaj socialistët nuk kanë ndërmend të pranojnë ndryshimin e kuadrit ligjor për këtë çështje.
LSI publikisht u shpreh një ditë më parë në favor të votimit të 16 vjeçarëve, ashtu si dhe Prezenca e OSBE, por Volfarth tha se është vonë për të ndërhyrë në ligj lidhur me këtë çështje.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha dhe në mbledhjen e sotme të qeverisë kërkoi nga partitë politike që ta marrin me seriozitet këtë nismë në mënyrë që 100 mijë shqiptarë të votojnë në 23 qershor. “I siguroj 16-vjeçarët se s’do të ndalojë përpjekjen time derisa ata të votojnë si qytetarë me të drejta vote të barabartë si të tjerët. Një komb me moshë të re nuk duhet të ketë asnjë hezitim për ti dhënë 16-vjeçarëve të drejtën që i takon. Të gjitha forcat politike që një çështje të tillë të mos e bëjnë çështje debati, por ta marrin këtë si çështje të drejte themelore të së paku 100 mijë qytetarëve, që sipas tij mezi presin të paraqiten ditën e votimin dhe të firmosin me votë kush do t’i drejtojë për 4 vitet që vijnë” vuri në dukje Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›