E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Votimi i diasporës me dokumente të huaja, Topalli: Mazhoranca të reflektojë, përndryshe cenohet procesi zgjedhor

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Jozefina Topalli, drejtuese politike e Partisë Demokratike për Diasporën deklaroi sot se, nëse mazhoranca nuk reflekton për të lejuar votimin e shqiptarëve në diasporë me dokumente të huaja, rezultati i zgjedhjeve dhe vetë procesi zgjedhor do të jetë i cenueshëm dhe i pabesueshëm.

E pyetur në një intervistë televizive lidhur me vendimin e qeverisë për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë deri më 31 maj të dokumenteve të skaduara për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, Topalli tha se, “është një vendim që është përsëritur vazhdimisht në çdo zgjedhje, qofshin politike, qofshin lokale, kështu që në këtë kuptim është një rutinë e përsëritur për të kthyer një element në normalitet dhe për t’i dhënë mundësi njerëzve që të votojnë, që është qëllimi kryesor i gjithë procesit zgjedhor”.

Sa i përket kërkesës së opozitës që shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të votojnë edhe me dokumente të vendeve ku jetojnë, Topalli tha se, kjo është kërkesë e vetë shtetasve shqiptarë në diasporë.

“Ajo çfarë kam konstatuar sidomos në SHBA, në Kanada, por edhe në Evropë është se një numër shumë i rëndësishëm, shumë i gjerë i qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë, ose në SHBA ose në Kanada nuk kanë dokumente shqiptare për shumë arsye të tyre. Kështu që ato ndihen keq që nuk i kemi dhënë të drejtën për të votuar, ndaj dhe është ngritur kjo kërkesë dhe i është shtruar në parlament mazhorancës që t’i jepet një mundësi që edhe ato të votojnë”.

“Por edhe nga pyetjet që gazetarët i kanë bërë edhe kryetarit të KQZ-së është dhënë një përgjigje që nëse kjo votohet në parlament, sigurisht që mundësitë teknike për t’i përfshirë ato ekzistojnë. Sepse në fakt nëse Jozefina apo kushdo do të jetojnë në Amerikë, përmes kryqëzimit të të dhënave që KQZ-ja ka dhe nëse ato kanë pasaporta biometrike ato janë tërësisht të identifikuar dhe është pothuajse zero mundësia që të bësh një gabim me regjistrimin e tyre në atë që do të jetë regjistri i votuesve jashtë territorit të Shqipërisë,” tha Topalli.

Kjo, u shpreh Topalli “ka të bëjë së pari me një të drejtë të tyre. Së dyti për të plotësuar një ndër parimet standarde të praktikave të mira për zgjedhje të Komisionit të Venecias. Sjell barazinë e votimit që është një standard i tyre dhe së treti, ç’kuptim do kishte të flasim për diasporën nëse një pjesë e qenësishme e tyre nuk voton”.

Topalli shprehu besimin se, “do të ketë një reflektim nga mazhoranca për të votuar, përndryshe rezultati i zgjedhjeve dhe vetë procesi zgjedhor do të jetë i cenueshëm dhe i pabesueshëm”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›