Votimi nga jashtë, Gjiknuri: Sukses nëse votojnë 200 mijë shtetas, mund të ndikojë në mandatet e disa qarqeve

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Për herë të parë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të vendit do të mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj.
Sekretari për Organizimin dhe çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Damian Gjinkuri në një intervistë në podkastin “Majtas” theksoi se pasha e emigrantëve në vendin tonë është e jashtëzakonshme.
“Ndryshimet për të drejtën e votës së diasporës janë përfshirë që në vitin 2020. Por atëherë për shkak të pamundësisë së kohës, por edhe për një lloj mosbesimi që kishin palët nuk e bënë të mundur implantimin e kësaj të drejte. Kjo marrëveshje politike është meritë për të dyja palët që arritëm të krijojmë një bazë solide ligjore për të drejtën e diasporës”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri tha se ka një interes të madh, ndërsa shtoi se do të adresohen nevojat e diasporës.
“Ka një interes të madh, nuk duhet të besojmë se 1 milion shqiptarë do të marrin pjesë në votim, por janë një pjesë që kanë interes për zhvillimin e Shqipërisë, social-ekonomik dhe ata bëhen pjesëmarrës. Futet një variabël e re elektorale dhe i bën që të gjitha partitë politike të kenë një sy nga diaspora. Është gjak i ri në aspektin elektoral, social e politik që do të revolucionojë edhe jetën politike shqiptare”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri tha se nuk beson se do të ketë një pjesëmarrje prej rreth 800 mijë votuesish.
“Nëse do të jetë një shifër sukses, do të jetë 200-200 e ca mijë votues, shifër e konsiderueshme dhe mund të ndikojë në mandatet e disa qarqeve në Shqipëri”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri nënvizoi më tej se “interesat e diasporës do të bëhen pjesë e politikave të brendshme. Do të jetë një variabël e re që do të ndikojë dhe në politikën tonë”.
Sipas Gjiknurit, sistemi që është zgjedhur për votën e diasporës është më i miri për Shqipërinë, pasi qytetarët votojnë tek qarqet që kanë origjinën dhe interesat e tyre.
“Sistemi që kemi zgjedhur i jep mundësi diasporës të vendosë peshën politike, por mban edhe lidhje me interesat që përfaqëson lokaliteti”, tha Gjiknuri. /j.p/