Votimi nga jashtë, KQZ: Mbi 133 000 kërkesa për regjistrime, 103 992 të miratuara

TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë, për herë të parë kanë mundësi që këtë vit të marrin pjesë përmes votës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve nga jashtë që kanë bërë kërkesë për t’u regjistruar ka arritur shifrën 133 684, ndërsa deri sot, në orën 12:35, janë miratuar 103 992 kërkesa.
Sipas të dhënave janë refuzuar 59 260 kërkesa, por këtu përfshihen edhe rastet kur një zgjedhësi aplikimi i është refuzuar më shumë se një herë.
Sipas gjinisë, përqindjen më të lartë të regjistruesve e kanë meshkujt, me 97 308 kërkesa, ndërsa femrat janë 66 889.
Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 62 479, e ndjekur nga Greqia me 44 905, Gjermania me 19 262, si dhe nga SHBA me 11 550.
Sa i takon kërkesave sipas qarqeve, numri më i lartë i aplikimeve është për qarkun e Tiranës me 11 550, më pas vijnë qarqet Fier me 22 439 kërkesa, Durrës me 17 388, Korçë me 16 651 etj.
Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar në 11 janar dhe do të zgjasë deri në 4 mars.

/r.e/