E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votimi, rezultati i ngushtë për Muçmatën

13/07/2010 Kuvendi rrëzon kandidatin e dytë të Presidentit për Gjykatën e Lartë. LSI pro

Bashkimi i votave të PS-së me Metën, në lojë votat e partisë së Idrizit

Ashtu siç kishte paralajmëruar më herët, mazhoranca rrëzoi edhe kandidatin e tretë të propozuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për anëtar në Gjykatën e Lartë. Opozita, e deklaruar kundër qëndrimeve të mazhorancës, mungoi në mbledhjen e djeshme për të bërë oponencën e relacionit të deputetit të PD-së, Viktor Gumi. I vetmi kundër mazhorancës u deklarua deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço. “Zoti Muçmata është një prokuror, një figurë goxha e kompletuar, një figurë që me plot gojën mund ta quaj ikonë të prokurorisë shqiptare, një figurë që duhet vlerësuar dhe të mos thuhet me integritet të mangët moral dhe profesional. Kam votuar me bindje dhe ndërgjegje të plotë edhe zonjën Xhoxhaj, edhe zotin Kosta, edhe për zotin Çomo kam votuar, dhe kështu do votoj dhe për zotin Muçmata”, tha Naço, deputet i LSI-së. LSI-ja ishte forca politike e vetme që i dha mbështetjen kandidatit Sokol Çomo, mbështetje të cilën do t’ia japë edhe kandidatit Vexhi Muçmata. Nëse socialistët do të qëndrojnë në sallë, duke bashkuar votat e tyre me ato të LSI-së, atëherë votimi për kandidatin Muçmata mund të jetë i diskutueshëm. Gjithçka do të varet nga vota që do të japin dy përfaqësuesit e çamëve, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, ose nga ndonjë mungesë e mundshme në sallë. Nëse këta të fundit abstenojnë, dhe me një pjesëmarrje 100 % të deputetëve, atëherë votat do të jenë të barabarta 69 me 69. Por nëse do të votojnë pro ose kundër kandidatit në fjalë dhe socialistët nuk bojkotojnë, atëherë Muçmata ose fiton betejën përballë mazhorancës ose e humbet atë. Në seancën e fundit parlamentare deputetët e mazhorancës miratuan kandidaturën e Medi Bicit me 71 vota pro, por rrëzuan atë të Sokol Çomos. Ky i fundit mori vetëm katër votat e LSI-së, ndërsa abstenuan 3 deputetë.

Gjatë mbledhjes së djeshme të komisionit, relatori Gumi, pasi bëri një rezyme të seancës dëgjimore, përmblodhi konkluzionet e tij. “Kandidati ka shërbyer në strukturat represive të regjimit të vjetër komunist, në rolin e hetuesit, dhe ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në hetimin e veprave penale me natyrë politike. Një fakt i tillë bie ndesh me kërkesën publike, morale dhe institucionale të mazhorancës së Kuvendit se nuk mund të konsiderojë depozitarë të besimit të saj institucional individë me karrierë gjyqësore, prokuror apo hetues që kanë marrë pjesë në hetim të veprave politike para vitit 1990”, citoi ai. Gjatë shqyrtimit të kandidaturës relatori kishte vërejtur edhe një mungesë të transparencës së procesit në lidhje me arsimimin e kandidatit, aktivitetin e vet profesional; në mënyrë kontradiktore kandidati paraqiti në seancë dëgjimore si shkak kohën e largët dhe harresën njerëzore, ndërkohë që në një pyetje konkrete paraqiti detaje të cilat justifikojnë një kujtesë të admirueshme. Besimi te ky kandidat, përfundoi Gumi, në integritetin moral dhe profesional vlerësoj se është i mangët dhe ai nuk përbën kandidaturën e përshtatshme për të dhënë pëlqimin e komisionit dhe më pas të Kuvendit për detyrën madhore të Gjykatësit të Lartë.

Rasti Çomo

Për kandidatin Çomo, në vlerësimin e meritës së zgjedhjes së kandidaturës, komisioni konstatoi se në historikun e eksperiencës profesionale raporti i tij me sistemin gjyqësor nuk ka qenë koherent dhe i qëndrueshëm. “Karriera e zhvilluar nga kandidati Sokol Çomo është karrierë e mbështetur dhe e sponsorizuar vetëm nga një forcë politike, Partia Socialiste, kur ka qenë në pushtet, ndaj edhe dorëheqja është dhënë sa herë i ka volitur kësaj forcë politike”, theksoi në raportin e tij përfundimtar Komisioni i Ligjeve. Çomos mori 64 vota kundër, katër pro dhe tre abstenim (Idrizi, Tahiri dhe Sterkaj).

Dekretet e refuzuara të Presidentit

Rrëzimi i dekretit të kreut të shtetit nga mazhoranca sjell detyrimisht dhe të drejtën e Presidentit të Republikës të nisë punën përzgjedhëse për dy emra të tjerë për anëtar` në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që duhet edhe një emër për Gjykatën Kushtetuese. Nga gjashtë emrat e propozuar nga numri një i shtetit për dy institucionet kryesore në sistemin e drejtësisë, mazhoranca ka dhënë pëlqimin për vetëm 3 pre tyre, ndërkohë që gjysmën tjetër e ka refuzuar. Nga treshja e parë, Kuvendi votoi Altina Xhoxhajn dhe Bashkim Dedja për në Kushtetuese, por rrëzoi Vangjel Kostën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›