Votohet në qytezat e para

Dixville Notch dhe Harts-Location lejuan votuesit e tyre që t’u drejtohen kutive të votimit ditën e martë, menjëherë pas mesnatës.
Kutitë e votimit u numëruan menjëherë. Në Dixville Notch, presidenti Barack Obama mori pesë vota, njësoj sikurse edhe rivali i tij republikan, Mitt Romney.
Kjo është hera e parë që në këtë qytezë ndahen votat në mënyrë të barabartë. Dixville Notch ka një traditë 50 vjeçare e të qenit qyteza që hapë e para kutitë e votimeve në SHBA në ditën e zgjedhjeve.
Kandidati republikan ka fituar votat në Dixville Notch çdo herë, që nga fillimi i kësaj tradite në vitin 1960, përveç në vitin 2008, kur fitoi Obama.
Nga ana tjetër, në Hart-Location, Obama fitoi 23 vota, ndërsa Romney, 9 vota.
Arritën në finish
Amerikanët votojnë sot për presidentin e tyre të ri. Në ditën e fundit të fushatës, dy kandidatët, presidenti aktual, Barack Obama dhe sfiduesi i tij republikan, Mitt Romney, u përqendruan në përpjekjet për të joshur votuesit ende të pavendosur. Fituesi i presidencialeve në Shtetet e Bashkuara nuk është kandidati që siguron numrin më të madh të votave popullore, por ai që siguron të paktën 270 vota të Kolegjit Zgjedhor. Ohio dhe 18 votat e këtij shteti nga analistët shihen si një çelës i mundshëm i suksesit të kandidatëve në zgjedhje. Anketat e fundit para zgjedhjeve flasin për një garë tejet të ngushtë.
Fushata presidenciale në SHBA përfundoi dhe amerikanët do të votojnë sot për presidentin e tyre të ri. Presidenti Barack Obama dhe sfiduesi i tij republikan, Mitt Romney, ishin mbërthyer në garë të ngushtë, vetëm një ditë para se amerikanët të votojnë njërin prej tyre.
Fituesi i presidencialeve në Shtetet e Bashkuara nuk është kandidati që siguron numrin më të madh të votave popullore, por ai që siguron të paktën 270 vota të Kolegjit Zgjedhor. Çdo shtet ka një pjesë të votave zgjedhore.
Ohio dhe 18 votat e këtij shteti nga analistët shihen si një çelës i mundshëm i suksesit të kandidatëve në zgjedhje.
Edhe Obama, edhe Romney kanë ndaluar në këtë shtet për të bindur votuesit se përse duhet të votohen.
Romney u ka thënë qytetarëve në Ohio se Obama ka arritur pak gjatë mandatit të parë si president dhe se nuk meriton një tjetër.
“Do t’iu kërkoj atyre që të lënë mënjanë fjalimet, reklamat, të gjitha sulmet dhe të shikojnë në të dhënat. Ndryshimi nuk mund të matet me fjalë dhe fjalime. Ndryshimi matet me arritje, andaj le t’i shohim ato të dhëna”, ka thënë Romney.
Gjatë ndalesës së tij në shtetin verilindor të New Hampshirit, Obama ka thënë se do të punojë fuqishëm për të sjellë ndryshime të vërteta.
“Ju e dini se ku qëndroj dhe ju e dini se në çfarë besoj. Ju e dini se them të vërtetën dhe ju e dini se do të luftoj për ju dhe familjet e juaja çdo ditë, sa më shumë që të mundem. Andaj, kur të pyesni veten se kush do të luftojë për mua dhe kush do t’i sjellë ndryshimet e vërteta, ju e dini se unë e di se cili është ndryshimi i vërtetë, sepse kam luftuar për të së bashku me ju”, ka theksuar Obama.
Gjatë paraqitjeve të tyre të fundit para votuesve, Obama dhe Romney u përpoqën që të bindin votuesit e pavendosur.
Rreth 30 milionë njerëz tashmë kanë hedhur votat e tyre në 34 shtete dhe në Qarkun e Kolumbisë, ndonëse asnjëra prej tyre nuk do të numërohet deri në ditën e zgjedhjeve.
Obama dhe Romney kanë mospajtimet më të mëdha në hapat që duhet t’i ndërmarrë vendi për trajtimin e ekonomisë së ngadaltë dhe papunësisë së lartë.
Sondazhet e fundit të ABC News dhe të Washington Postit megjithatë kanë treguar se të dy kandidatët gëzojnë mbështetjen e 48 për qind të votuesve.
Sipas Qendrës për Politikë të Përgjegjshme, në zgjedhjet presidenciale të këtij viti do të shpenzohen 2.6 miliardë dollarë. Shuma paraqet rënie nga viti 2008, kur janë shpenzuar 2.8 miliardë dollarë.
Të dy fushatat janë përqendruar në më pak se 10 shtete që pritet të përcaktojnë rezultatin përfundimtar të fushatës, si Ohio dhe Florida. Republikanët duken më energjikë, ndërsa demokratët thonë se kanë një bazë më të madhe votuesish.
Këshilltari i fushatës së Romneyt, Ed Gillespi parashikon fitore.
“Ne kemi shumë besim për pozitën tonë në shtetet kryesore. Ne kemi arritur të zgjerojmë përkrahjen në Pensilvani, si dhe kemi bërë gjithçka që duhet në Florida, Virxhinia dhe Ohio”, theksoi Gillespi.
Këshilltari i fushatës së Presidentit Obama, David Pllaf, shprehu një porosi të ngjashme.
“Kam besim se presidenti do të rizgjidhet. Ne kemi mbështetjen për t’i fituar këto zgjedhje”, tha Pllaf.
Votimet e të martës vinë një javë pas uraganit Sendi që goditi rëndë brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara. Nuk dihet se çfarë ndikimi do të ketë stuhia në këto votime.
Profilet e Obamës dhe Romneyt
Para 4 viteve, Barack Obama u zgjodh presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara.
Partia Demokratike e emëroi atë në një kuvend që u përqendrua në pakënaqësinë e publikut me problemet ekonomike të vendit. Obama përfitoi nga kjo gjendje me moton e tij, “Ndryshime tek të cilat kemi besim”.
Gjatë administratës katër vjeçare të Presidentit Obama, ekonomia është përmirësuar, por jo aq sa ç’kishin shpresuar shumë njerëz. Disa ekspertë politikë thonë se Obama ka mësuar ndryshimin e madh që ekziston mes fushatës dhe qeverisjes.
“Shumë prej premtimeve të tij vareshin nga ideja se në Washington do të bëheshin përpjekje ndërpartiake. Dhe menjëherë pasi John Boehner u zgjodh Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve u pa qartë se objektivi numër një i republikanëve ishte që përpjekje të tilla të mos bëheshin”, tha Jennifer Lawless, që drejton Institutin e Grave dhe të Politikave në Universitetin Amerikan.
Një shembull i tillë ishte projektligji për imigrantët në bazë të të cilit do t’u jepej shtetësia imigrantëve që kishin ardhur ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në moshën e fëmijërisë. Ky akt u mbështet nga presidenti, por nuk u miratua kurrë nga Kongresi. Në qershor, Presidenti Obama njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndalnin përkohësisht dëbimin e imigrantëve që mbroheshin nga deportimi në bazë të projekt-ligjit të imigracionit. Ndërkohë, administrata e tij ka deportuar më shumë imigrantë të paligjshëm se çdo president tjetër amerikan.
Presidenti Obama mbajti premtimin e fushatës për të reformuar kujdesin shëndetësor të vendit. Ndërsa ky ligj ngjalli shumë debate, Gjykata e Lartë, e cila diskutoi kushtetutshmërinë e tij, i mbështeti dispozitat kryesore të ligjit.
Presidenti kërkoi dhe Kongresi miratoi një paketë prej 787 miliardë dollarësh për stimulimin e ekonomisë dhe më pas zbatoi një program shpëtimi për kompanitë e automobilave, General Motors dhe Chrysler.
Në maj të vitit 2011, forcat speciale zbuluan vendndodhjen dhe me një operacion ushtarak vranë në Pakistan Osama bin Ladenin, organizatorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Presidenti tërhoqi forcat amerikane nga Iraku, shtoi numrin e trupave në Afganistan dhe nënshkroi një traktat të ri për kontrollin e armëve me Rusinë.
Barack Obama është presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara. Ai është gjithashtu presidenti i parë në detyrë që mbështet ligjërimin e martesës mes homoseksualëve.
Kur Obama u përball me rivalin e tij republikan Mitt Romney në debatin e parë presidencial, Presidenti kishte një epërsi të vogël, por të qëndrueshëm në anketat e opinionit në shkallë kombëtare, por ai nuk doli mirë në debat dhe Romney avancoi.
Obama e ka përqendruar porosinë e fushatës kryesisht tek të rinjtë, gratë, pakicat dhe klasa e mesme. Gjatë javëve të fundit, ekonomia është përmirësuar pak, gjë që mund ta ndihmojë Presidentin Obama.
Në javët e fundit të fushatës, Obama anuloi fushatën për t’u përqendruar tek përgjigja e qeverisë kundër uraganit Sandy. Guvernatori republikan i New Jerseyt, i cili më parë ka qenë kritik i ashpër i presidentit, lavdëroi Obaman për rolin e tij në përpjekjet pas uraganit.
Barack Obama lindi në Havai në vitin 1961. Ai dhe bashkëshortja e tij Michelle kanë dy vajza, Malia dhe Sasha.
Nënpresidenti Joe Biden është edhe këtë radhë kandidati demokrat për nënpresident. Biden ka shërbyer për gjashtë mandate si senator dhe konsiderohet si ekspert në politikën e jashtme.
Partia Republikane përfaqësohet në zgjedhjet e nëntorit me kandidatët Mitt Romney dhe Paul Ryan. Në fushatën për t’u bërë Presidenti i 45-të amerikan, Romney po përpiqet të vërë në pah aftësitë e tij për të rimëkëmbur ekonominë amerikane.
Nëse zgjidhet, Romney thotë se do të ulë tatimet, do të shkurtojë shpenzimet qeveritare dhe deficitin buxhetor, si dhe do të anulojë ligjin e Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor. Ai thotë se do të krijojë 12 milionë vende pune gjatë mandatit të tij të parë katër vjeçar.
Romney bëri fitime prej miliona dollarësh kur ishte një ndër drejtuesit e kompanisë Bain Capital, një ndër firmat më të mëdha të investimeve në botë. Ai ndihmoi për të shpëtuar nga problemet financiare Lojërat Olimpike Dimërore 2002 në Salt Lake City dhe ishte guvernator i shtetit Massachussets për një mandat.
Romney nuk pati sukses katër vjet më parë, kur u përpoq të merrte emërimin e Partisë Republikane si kandidat për zgjedhje.
Por këtë radhë ai i rezistoi konkurrencës nga rivalët më konservatorë Rick Santorum dhe Neët Gingrich dhe kapërceu dyshimet për fenë e tij mormone. Romney tani kryeson përpjekjet e partisë së tij për të mundur Presidentin Obama të martën, thotë analisti John Fortier.
“Mitt Romney mund të mos jetë kandidati më entuziast, por dëshira për të mundur Presidentin Obama është një faktor i fortë motivues për republikanët”, theksoi Fortier.
Në frontin e politikës së jashtme, Romney thotë se Presidenti Obama ka dëmtuar marrëdhëniet me aleatin e Amerikës, Izraelin dhe nuk është treguar i ashpër sa duhet ndaj Iranit, Kinës dhe Rusisë. Ai ka kritikuar presidentin për reagimin ndaj sulmit në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë. Katër amerikanë humbën jetën në këtë sulm.
Romney është përqendruar tek problemet e ekonomisë. Në debatin e parë presidencial me presidentin Obama , Romney gjithashtu premtoi se nëse zgjidhet president ai do të bashkëpunojë me të dyja partitë në qeverisjen e vendit.
Mbështetja për Romeyn në sondazhe u ngrit pas debatit të parë dhe shumë analistë tani thonë se gara është e ngushtë dhe është vështirë të parashikohet fituesi.
Disa analistë thonë se mënyra si e perceptojnë njerëzit Mitt Romneyn do të diktojë rezultatin e zgjedhjeve.
Mitt Romney është 65 vjeç, i martuar që nga viti 1969 me Ann Romneyn, me të cilën ka pesë djem.
Bill Clinton adut i Obamës
Gjatë fushatës së Barack Obamës në shtetin e rëndësishëm New Hampshire, përkrah tij ishte edhe ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton.
Temperaturat e ulëta nuk i kanë privuar mijëra qytetarët e New Hampshire për të pritur me orë të tëra ardhjen e presidentit Barack Obama në këtë miting elektoral, të shtatin në këtë shtet organizuar nga demokratët.
I shoqëruar nga ish-presidenti Bill Clinton, që në fillim të fjalimit që zgjati 30 minuta, Obama u shpreh se do t'i lërë mënjanë ndasitë politike që kanë bllokuar Ëashingtonin, por për asnjë moment nuk do të heqë dorë apo të bëj kompromis me republikanët, në propozimet e demokratëve për financimin e kolegjeve, ndihmën e shtetit për sigurimin e shërbimit shëndetësor të atyre që nuk kanë mundësi të kenë sigurim.
“Për aq kohë sa unë do të jem President, do të punoj me cilindo, me çdo parti për ta çuar vendin përpara", u shpreh Obama.
Bill Clinton, i cili ishte tepër aktiv në fushatën elektorale duke mbështetur Obamën, solli disa argument përse nuk duhet besuar Mitt Romney.
Evropianët ndjekin me interes zgjedhjet në SHBA
Evropianët ndoqën me interes ditët e fundit të fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara, të shqetësuar se si mund të ndikojë rezultati tek çështjet globale. Evropianët nuk votojnë në zgjedhjet amerikane, por si të gjithë njerëzit në botë, rezultati i tyre ka ndikim për ta. Që nga çështjet ekonomike, deri tek Irani dhe lufta në Afganistan, e ardhmja e Evropës është shumë e lidhur me atë të Shteteve të Bashkuara. Dhe dy kandidatët presidenciale duket se kanë dy pikëpamje shumë të ndryshme për kontinentin.
“Mendoj se Presidenti do të na kthejë në një shtet ndihmash sociale si Evropa. Ai model nuk ka funksionuar askund në botë”, ka theksuar kandidati republikan Mitt Romney.
“Çdo hap nxjerr në pah faktin se Evropa po shkon gjithnjë e më shumë drejt integrimit, jo shpërbërjes dhe se këto probleme mund të zgjidhen dhe faktin se themelet e ekonomive evropiane janë të forta”, është shprehur Presidenti Barack Obama.
Xenia Dormandy e organizatës Chatham House thotë se toni i ndryshëm nuk ka kaluar pa u vënë re në këtë anë të Atlantikut.
“Romney flet për një Amerikë të fortë, të jashtëzakonshme, një Amerikë që udhëheq. Ai foli për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Të gjitha këto shkaktojnë pak nervozizëm tek evropianët. Në anën tjetër, Obaman do ta quaja një udhëheqës evropian. Ai është shumë i prirë drejt konsensusit. Ai do të punojë në institucione shumëpalëshe, do të bashkëpunojë. Të gjitha këto tipare janë shumë të pëlqyeshme në skenën evropiane”, tha Dormandy.
Kjo është një nga arsyet që sipas anketave, Evropianët parapëlqejnë presidentin Obama në masën 75 për qind.
Zgjedhjet presidenciale, si 50 zgjedhje të veçanta
Dita e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara ndryshon nga shumë vende të tjera, sepse këtu nuk zhvillohet një votim i vetëm në gjithë vendin. Çdo shtet ka rregullat e veta për ditën e zgjedhjeve.
E marta e parë e nëntorit në Shtetet e Bashkuara është ditë zgjedhjesh. Në secilin prej 50 shteteve dhe në Distriktin e Kolumbias, mbahen zgjedhje për shumë zyra publike, ku votuesit duhet t’u përgjigjen pyetjeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me jetën e tyre të përditshme dhe çdo 4 vjet ata zgjedhin edhe presidentin.
Kushtetuta amerikane është plot me të drejta dhe mbrojtje për qytetarët e saj, por siç thotë profesori i Universitetit Georgetown, Mark Rom, votimi nuk është medoemos një prej këtyre të drejtave.
“Dikush do të mendonte se e drejta për të votuar është po aq qendrore për qytetarët, sa edhe e drejta e lirisë së shprehjes, apo e besimit fetar apo e nënshkrimit të peticionit për qeverinë. Por kjo nuk është e vërtetë. Kërkesat për të votuar janë kryesisht të caktuara nga shtetet dhe pak a shumë shtetet mund të përdorin standardet e tyre”, tha Rom.
Në bazë të ligjit federal, mosha minimale për të votuar është 18 vjeç.
Gjatë viteve të fundit, është praktikuar edhe i ashtuquajturi “votim i hershëm”. Rreth dy të tretat e shteteve lejojnë qytetarët e tyre të votojnë një muaj ose edhe më shumë përpara ditës së zgjedhjeve në nëntor.
Një numër shtetesh kanë miratuar tashmë ligje, që u kërkojnë votuesve të tregojnë një kartë identiteti në qendrat e votimit për të provuar identitetin e tyre. Përkrahësit e këtyre ligjeve thonë se ato janë të nevojshme për të parandaluar manipulime në zgjedhje. Kundërshtarët thonë se, në bazë të statistikave, një manipulim i tillë është tepër i vogël që të përbëjë problem, madje akuzojnë se ligje të tilla synojnë të mohojnë të drejtën e votës.
Gjyshet për Obamën
Brookhaven është një azil pleqsh në zonën Lexington, në Massachusetts. Që prej vitit 2008 në këtë godinë është themeluar organizata “Gjyshet për Obamën”.
Këto zonja i janë dedikuar sensibilizimit dhe promovimit tek bashkëmoshataret e tyre të programit që ka paraqitur Barack Obama. Pasi kanë ideuar mesazhet që duan të përcjellin, i kanë printuar thjeshtësisht në formë kartolinash për t’i dërguar nëpërmjet postës.
Pavarësisht modernizimit të fushatës elektorale nëpërmjet spoteve televizive, internetit apo formave të tjera, ato ndjehen krenare për formën sensibilizuese që kanë zgjedhur. Që nga themelimi në vitin 2008, organizata “Gjyshet për Obamën” numëron mbi 50 degë në të gjithë Amerikën.
Betsy Hatfield, koordinatore e organizatës “Gjyshet për Obamën”, thekson: “Sikurse edhe shumë grupe të tjera që kërkojnë të kenë ndikim në zgjedhje, ajo që na dallon është se ne nuk kemi buxhet, personel apo zyra. Gjithçka që ne bëjmë financohet po nga vetë ne. Mbajmë lidhje me zyrën qendrore të fushatës elektorale të Obamës nga ku marrim listat e votuesve. Gjithçka më pas është në dorën tonë. Jemi të lira të shprehim atë që ne besojmë.”