E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmi për dialogun mes studentëve

Filmi "Përsëri Bashkë - 10 Vjet pas Luftës”, i regjisorit Jon Haukeland, i cili flet për studentët serbë e shqiptarë nga Kosova, u shfaq të dielën mbrëma në Beograd, në natën e dytë të Festivalit Slobodna Zona (Zona e Lirë).

Filmi, që bënë fjalë për përpjekjen e nisjes së një dialogu mes studentëve shqiptarë e serbë në Kosovë, dhe për takimet e tyre të tensionuara, fillimisht, pak pas përfundimit të bombardimeve, në vitin 1999, e pastaj edhe 10 vjet më vonë, u shfaq të dielën, nga ora 21.

Pas projeksionit të filmit, u mbajt një debat, me temën: “Kosova: Ndërmjet Negociatave dhe Dialogut”, në të cilin morën pjesë njëri prej themeluesve të Rrjetit për Dialog – Nansen, regjisori i filmit, Steiner Brin (që ishte i nominuar për Çmimin Nobel për Paqe), regjisori serb, Lazar Stojanovic, dhe drejtori i shtëpisë mediale kosovare InterNews, Faik Ispahiu.

Ndryshe, të martën në Festivalin Slobodan Zona do të shfaqen edhe filmat e autorëve që janë pjesë e projektit DokuFest Fabrika, që është pjesë e festivalit DokuFest.

Publiku serb do të ketë rastin të shoh filmin “Muri”, të Nikola Polic, i cili flet për rastin e dy shkollave kosovare që veprojnë nën të njëjtin kulm, filmin dokumentar të regjisorit Boris Karamuc “Zastava”, si dhe atë të Srdjan Slavkovic, “Beograd-Prishtinë".

Ky program është një bashkëpunim i Fondit Hartefakt dhe Festivalit Slobodna Zona. Pas projeksionit të filmave, publiku do të ketë rast të bisedojë me autorët dhe protagonistët e këtyre filmave.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›