E Diel, 1 Nëntor 2026

Votuesit e PD, me karta të falsifikuara

Kreu i grupit socialist, Ruçi, paraqet në seancë prova për manipulimin e zgjedhjeve

Një javë pasi sfidoi Kryeministrin për kutinë e Ruzhdies, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, nxori para deputetëve karta identiteti të falsifikuara dhe të përdorura në zgjedhjet e 28 qershorit. Ruçi nxori disa karta dhe sipas tij janë të njëjtat fytyra në disa të tilla të falsifikuara. “Shikoni këtu keni dy karta identiteti false, nga Tropoja, të përdoruar në zgjedhje me kartat tuaja të identitetit. Për të vajtur tek ky zotëri, urdhëroni këtë zotëri të njëjtë me dy karta në Tiranë. Nuk është vetëm Ruzhdie dhe Tropojë, urdhëroni këtë zotëri me dy karta identiteti në Dibër. Nuk mjaftojnë dy, shikoni këtë zotërinë tjetër me tre, të treja false janë. Shikoni këtë tjetrin me tre. Shikojeni këtë zotërinë tjetër me dy. Shikojeni këtë zonjë me dy. Shikojeni këtë zonjë tjetër me dy. Nuk po vazhdoj atëherë me që e ke merak i dashur, ke qenë zv/ministër i Brendshëm, i njëjti njeri me 4 karta false, dy në Tiranë dhe dy në Korçë”, nënvizoi Ruçi. Sipas tij, nuk ka përmirësim të kodit pa parë se ku janë shkelur dhe mbi të gjitha në këtë vend nuk e kanë fajin rregullat e lojës, por njehsimi i pushtetit dhe shtetin dhe mbi të gjitha shkeljet e rregullave të lojës”, u shpreh Ruçi. Ai insistoi se, kërkohet të mësohet se ku janë bërë shkeljet e rregullave, si dhe ata që i kanë shkelur të vihen para përgjegjësisë. “Ajo që kërkojmë në ligj është që të vendosim një standard. Mos bëni gabimin që bënim ne, që i bënim ligjet sikur të ishim gjithnjë në pushtet. Mendojeni veten në opozitë dhe do gjykoni si ne. Nuk ka rëndësi se kush është në pozitë dhe opozitë, por duhet që pas 20 vitesh të mbyllet kapitulli i zgjedhjeve të manipuluara. Të marrë fund mendimi stalinist se nuk ka rëndësi se kush voton, por ai që numëron”, insistoi Ruçi. Duam shumicën me ligj në komision, u shpreh ai, që edhe ti ta kesh në ligj këtë shumicë dhe jo me dëshira dhe vullnete politike. “Na akuzuat ne, veçanërisht për liberalizimin e vizave, por ju duhet të jepni llogari pse ata sot janë pa viza. Pse Serbisë së dalë nga lufta dhe që vazhdon gjykimin në Hagë i liberalizohen vizat. Pse Maqedonisë iu liberalizuan vizat, pse qytetarëve të Malit të Zi iu liberalizuan vizat dhe shqiptarëve jo? Duhet t’u jepni përgjigje deklaratave të ndërkombëtarëve se nëse nuk zgjidhni krizën të gjitha do të vonohen”, insistoi Ruçi. Ju, vijoi ai, na drejtoni për në prokurori, por ne i drejtuam për në prokurori. “Këtë javë edhe ju e keni zbuluar se kush janë rezultatet e Ruzhdies, në fakt, Ruzhdie është e gjithë Shqipëria. Ato që ju paraqita nuk janë patenta, por karta identiteti dhe ju e dini mirë se kartat dallojnë nga patentat. Unë di të flas me garanci dhe të premtova në emër të PS se tërhiqemi nga kauza jonë për zgjedhjet nëse nuk vërtetohen pretendimet vetëm në Ruzhdie. “Sot kam këto karta dhe i kam vërtetuar kush janë këta qytetarë. Këto që ju thashë dhe këto fytyra që paraqita me tre katër herë votues janë qytetarë të afishuar kudo si votuesit tuaj. Hajde shkojmë në komision dhe t’i vërtetojmë të gjitha këto. Ju bëjmë apel edhe njëherë se kriza është e thellë dhe politike. Domosdoshmërisht ajo duhet zgjidhur”, theksoi Ruçi. Ajo nuk zgjidhet me mllefe, tha Ruçi, e procedura të zvarritura, por me vullnet politik dhe mjete politike. “Përvoja dhe eksperienca nuk ju mungon, por nëse ju mungon vullneti përgjegjësia do të mbesë vetëm mbi ju”, u shpreh Ruçi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›