Pay Tv, hetimi shtrihet në disa qytete
Prokuroria shqiptare shtrin hetimet në disa qytete për ndërhyrjet në platformat dixhitale, duke u vjedhur këtyre të fundit pamjet vizive, ndërsa 11 të pandehur të tjerë janë dërguar në Gjykatën e Tiranës. Mësohet se procedimi penal që ndodhej në prokurorinë e kryeqytetit është ndarë dhe janë dërguar disa të pandehur në akuzën e Durrësit dhe Elbasanit. Dyshohet se grupi që ndërhynte në valët e platformave dixhitale e kryente aktivitetin e paligjshëm në disa qytete dhe më të prekura ishin pikërisht qytetet e mëdha, ndërsa nuk përjashtohen rrethet e tjera. Burime nga akuza qendrore thanë se hetimi në Durrës po kryhet për futjen e disa aparateve “Dreambox” kontrabandë dhe pa paguar taksa, ndërsa në Elbasan janë dërguar disa të akuzuar, pasi ndërhynin në valët e platformave dixhitale, duke u shkaktuar këtyre të fundit një dëm të madh ekonomik dhe si rrjedhojë shteti pësonte të njëjtin fat nga vjelja e të ardhurave nga fitimet.
HetimetDosja e Prokurorisë së Tiranës ka mbërritur në gjykatë me 11 persona të pandehur të akuzuar për mashtrim kompjuterik, moskallëzim krimi dhe kontrabandë. Nga materiali i referuar rezulton se veprat penale të mësipërme dyshohet se janë kryer nëpërmjet thyerjes së kodeve të sigurisë të vendosura nga kompania “DigitAlb” në kartat e veta SMART dhe shpërndarjen e paligjshme të këtij informacioni të kartave që nënkupton programe televizive te pajtimtarët. Sipas akuzës, e tërë veprimtaria ushtrohet në mënyrë të kundërligjshme përmes thyerjes së kodeve/çelësave të sigurisë, merret dhe shpërndahet nëpërmjet internetit kundrejt pagesës një program televiziv që, në kuptim të ligjit, nuk është pronë e këtyre personave që e shpërndajnë, por e vetë “DigitAlb”. Kjo veprimtari, sipas akuzës, sjell jo vetëm përfitim të paligjshëm gjithashtu dhe të palicencuar dhe të pataksuar, por sjell një dëm të konsiderueshëm financiar për vetë kompaninë e licencuar, si dhe dëm ekonomik për shtetin që nuk vjel tatime mbi të ardhurat e këtyre personave që janë të paligjshme, si dhe në formën e rënies së të ardhurave të kompanisë që sjell pagesë më të vogël për tatimet.
PërfitimiProkuroria ka sqaruar edhe mënyrën sesi operojnë të dyshuarit për këtë veprimtari, ndërsa ka sqaruar interpretimin e veprave penale për të cilat po kryhen hetime. “Aparati ‘Dreambox’ funksionon në një mënyrë normale, pra duke përdorur një kartë SMART të abonuar e në këtë formë është në gjendje të dekriptojë ‘çelësin’. Më tej kjo pajisje lidhet me internetin duke bërë të mundur në këtë mënyrë ndarjen e ‘çelësit, kodeve’, në të gjitha aparatet e tjera, të cilët nuk përdorin kartën ‘Smart’. Në momentin që klienti merr aparatin ‘Dreambox’ të cilin po e quajmë klient, pasi lidhet me sinjalin e internetit, merr çdo të dhënë kodesh nga ‘Dreambox’ serveri dhe kështu përftohet pamja vizive”, sqaron akuza mënyrën e përdorimit nga ana e të pandehurve. Sipas tyre, nga të dhënat teknike të administruara nga kompania “Conax” e cila furnizon me pajisjet përkatëse atë të “Digitalb” karta SMART, e cila shfrytëzohet në mënyrë të kundërligjshme nga të dyshuarit, është pjesë përbërëse e sistemit kompjuterik.
#