E Martë, 3 Nëntor 2026

Vranë bashkëmoshatarin në Gramsh, shtyhet seanca për 4 adoleshentët që akuzohen për “vrasje në bashkëpunim”

Është shtyrë sërish seanca në Gjykatën e Elbasanit ndaj katër të miturve, të cilët vranë me thikë bashkëmoshatarin e tyre, Fatjon Bici, ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2023, në qytetin e Gramshit.

Shtyrja e seancës është bërë për shkak të mungesës së njërit prej anëtarëve të trupit gjykues, për shkak të problemeve shëndetësore.

Trupi gjykues ka pranuar gjykim të shkurtuar për 4 adoleshentët, vendim i cili është kundërshtuar nga familjarët e viktimës. Në seancën e sotme pritej të jepej pretenca e prokurorit.

Në rastin e një gjykimi të shkurtuar 4 adoleshentët të cilët akuzohen për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim”, rrezikojnë dënimin deri në 8 vite burg, ndërsa në një gjykim normal ata nuk do të mund të dënohen më shumë se 12 vite burg, siç parashikon Kodi i Drejtësisë Penale për të miturit.

Mbi katër të miturit rëndon akuza “vrasje me rrethana  të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›