Vrasin konduktorin 17 vjeç për 1 euro

Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot pasdite në Tiranë, ku katër persona kanë rrahur dhe kanë qëlluar me thikë një konduktor autobusi , i cili ia ka kërkuar lekët e udhëtimit. Ngjarja ka ndodhur në fugonin e linjës Tiranë-Durrës ku dy të rinj dhe dy të moshuar pasagjerë kanë vrarë me thikë, në debat e sipër konduktorin.
Shkak për vrasjen është bërë pagesa e biletës. Policia sqaron se katër personat kanë hipur në fugon në afërsi të Stacionit të Trenit, ndërsa kur janë afruar tek Zogu i Zi kanë kërkuar të zbresin.
Konduktori, 17 vjeç Julian Çuni, nga Vlora ka kërkuar që ata ta paguanin rrugën deri në Durrës, pasi fugoni do të shkonte bosh deri atje, me zbritjen e tyre. Ai u ka kërkuar një pagesë prej 150 lekësh të vjetra për person.
Pasi e kanë kundërshtuar me fjalë, pasagjerët e kanë rrahur konduktorin dhe njëri prej tyre, rreth 25 vjeç e ka goditur disa herë me thikë në bark, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Konduktori sipas medieve në Tiranë, ka humbur jetën në Spitalin Ushtarak, pa mundur ti bëjë dot ballë plagëve.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka identifikuar autorët, pas marrjes në pyetje edhe të dëshmitarëve të rastit. Po sipas policisë së Tiranës, autorët janë dy të rinj në moshë dhe dy të moshuar, të cilët pritet të vihen në pranga./Indeksonline/