E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrasja e 42-vjeçarit Keli Hoxha në Berat, autori shfaq pendesë para togave të zeza, Gjykata lë në burg Kristo Memën

Autori i vrasjes me thikë të 42-vjeçarit Keli Hoxha, ka mbërritur mesditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për t’u njohur me masës e sigurisë. Ai ka mbërritur brenda gjykatës nën masa të rrepta sigurie, rreth një orë para orarit të parashikuar të fillimit të seancës. Prokurori i çështjes, Renato Tosku, pasi ka parashtruar rrethanat e ngjarjes, ka kërkuar për Memën masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “Vrasje”, parashikuar nga neni i Kodit Penal.

Pasi ka dëgjuar edhe avokatin mbrojtës të autorit të vrasjes, gjyqtari Renis Bega,e ka cilësuar “të ligjshëm” arrestimin e 63-vjeçarit Kristo Mema 63-vjeç dhe ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest në burg”. Mësohet se në seancë, autori ka shprehur pendesë dhe ka deklaruar se gjithçka ndodhi në gjaknxehtësi e sipër, pasi autori e kishte ofenduar dhe sharë nga familja. Në sallë ai u ka kërkuar falje edhe familjarëve të viktimës.

Burime për gazetaren Anila Sefa bënë me dije se autori i vrasjes së 42-vjeçarit, ka kryer edhe dy vrajse të tjera, një në Berat në vitin 1994 dhe një në Greqi. Po ashtu, përpos qindra denoncimeve që ka pasur kundrejt tij për dhunë, mësohet se ai është autor gjithashtu edhe i një plagosje në fshatrat e Roshnikut.

Por për ngjarjet e sipërpërmendura, Kristo Mema nuk është përballur asnjëherë me drejtësisë për shkak të mungesës së provave. 

Ditën e vrasjes së 42-vjeçarit në Berat, autori ka marrë me vete reth 3 milionë lekë të vjetra me mendimin për të qëndruar i fshehur dhe për t’i shpëtuar drejtësisë.

Ngjarja

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 28 tetorit në Kalanë e qytetit të Beratit. Debati mes autorit të vrasjes dhe viktimës filloi pasi ky i fundit i kishte prekur kalin, të cilin autori e përdorte për të shëtitur turistët rreth kalasë, kundrejt një pagese. Mësohet se autori i ngjarjes, 63-vjeçari Kristo Mema (Kastriot Oxhaj) pasi ka parë shtetasin Keli Hoxha që preku me dorë kalin i ka thënë që mos ta prekte pasi, sipas tij, nuk ishte mirë dhe ishte i acaruar. Pas kësaj, autori dhe viktima kanë debatuar dhe në këto momente, autori ka nxjerrë thikën që e mbante fshehur në samarin e kalit dhe e ka qëlluar me thikë. Më pas, autori ka shkuar në banesë, ka lidhur kalin në kasolle, ka marrë disa ushqime dhe u fsheh në një nga shpellat e kalasë, për ti shpëtuar policisë.

Viktima Keli Hoxha,42-vjeç,banues në Tiranë dhe lindur në Tropojë, nuk mundi dot ti mbijetojë plagëve të marra dhe gjeti vdekjen sapo mbërriti në Spitalin Rajonal Berat. Autori u kap disa orë më vonë, i fshehur në “Shpellën e Memecit”, pranë Kishës së Shën Mëhillit. Autori Kristo Mema (alias Kastriot Oxhaj), 63-vjeç, ka kryer një vrasje në vitin 1993 në Berat, por pas ngjarjes ishte larguar në Greqi për rreth 25-vjet,ku kishte ndërruar edhe emrin. Për këtë vrasje ai nuk ka bërë asnjë ditë burg, pasi vrasja ishte parashkruar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›