Vrasja e Ardian Nikulajt, Manja: Sapo të jenë gati letërporositë, do procedohet për ekstradimin e autorëve

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka deklaruar se institucionet shqiptare po bashkëpunojnë me ato të huaja për zbardhjen e plotë dhe arrestimin e autorëve të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në një lokal në Shëngjin.
Manja u shpreh se në momentin që do të bëhen gati letërporositë, do të procedohet me ekstradimin dhe arrestimin e personave të përfshirë në atë të cilën ministri e cilësoi si ngjarje të shëmtuar.
“Lidhur me ngjarjen në Lezhë, jemi në bashkëpunim me institucionet e huaja. Në momentin e parë qe do vijnë letërporsitë do i procedojmë menjëherë dhe do komunikojmë me homologët e huaj për shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje të shëmtuar. Do bëjmë të mundur ekstradimin e këtyre personave dhe vënien e tyre para drejtësisë”, tha Manja teksa përgëzoi punën e bërë nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria për zbardhjen në kohë rekord të ngjarjes.
“Jam i bindur se shumë shpejt dhe homologët do na përgjigjen me të njëjtën shpejtësi”, tha ai.
Gjashtë persona, mes tyre një shqiptar me shtetësi dhe britanike, 4 britanikë dhe një portugez janë shpallur në kërkim për vrasjen e Ardian Nikulajt reth orës 13:25, të 19 prill 2023 në ambientet e lokal “Coral” në Shëngjin.
Në kërkim:
1. Edmond Haxhia, shtetas me shtetësi shqiptare dhe britanike
2. Ruben Saraiva, shtetas portugez, i dyshuar si ekzekutori
3. Harry Simson, shtetas britanik,
4. Harriet Bridgeman, shtetase britanike,
5. Thomas Mithan, shtetas britanik,
6. Steven Hunt, shtetas britanik
Ndaj tyre është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.