E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ngacmoi seksualisht të miturën, arrestohet 25-vjeçari në Tiranë

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 25-vjeçar i cili akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një të mitur. Ka qenë kjo e fundit e cila ka kallëzuar 25-vjeçarin, pasi pretendon se i riu e ka ngacmuar seksualisht në ashensorin e pallatit ku ajo banon.

Blutë e kryeqytetit sqarojnë se “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të saj, pas kallëzimit të bërë nga një shtetase e mitur 15 vjeçe, se një shtetas i paidentifikuar e kishte ngacmuar atë seksualisht, në ashensorin e pallatit ku ajo banon, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “HARASSMENT””.

Policia bën me dije se ky person, ka ngacmuar seksualisht dhe një shtetase të huaj në parkingun e një qendre tregtare.

Gjatë kontrollit fizik të 25-vjeçarit, policia ka sekuestruar lëndë narkotike kanabis.

Në pranga ka rënë 25-vjeçari Xh. B., banues në Tiranë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›