E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e “Dodës” burg pa afat për dy të dyshuarit

29/07/2009  Llakaj kërkon ndryshimin e prokurorit, ndërsa Jaçe justifikon gjurmët në motor

ELBASAN-Janë paraqitur për masën e arrestit në gjykatë dy të dyshuarit për vrasjen e ish-agjentit të antidrogës Roland Rexhepi. “Burg pa afat” ka qenë vendimi i trupit gjykues, pasi ka dëgjuar akuzën dhe mbrojtjen ndaj dy të pandehurve Arben Jaçe dhe Armand Llakaj. Ndërsa është vendosur që në seancë ata të ishin të veçuar për masën e arrestit për të evituar edhe një komunikim mes tyre. Një numër i madh efektivesh kanë rrethuar gjykatën dhe në masa të forta sigurie janë sjellë një e nga një për vlerësimin dy të arrestuarit. Trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtarja Pajtime Fetahu ka startuar vlerësimin e masës me të arrestuarin Arben Jaçe, 28 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë. Jaçe është mbrojtur nga avokati Gëzim Veleshnja. Prokurori i çështjes Elvin Gokaj ka deklaruar para trupit gjykues se më 22 korrik i pandehuri ka qenë bashkautor në vrasjen e shtetasit Roland Rexhepi. Ai ka ngritur ndaj tij akuzën e vrasjes në bashkëpunim dhe armëmbajtjes pa leje. Gokaj tha se ekzistojnë prova të mjaftueshme në vendngjarje që implikojnë këtë shtetas në atentat. Si prova materiale janë administruar motori, arma e krimit, maska si dhe një furgon. Prokurori i çështjes theksoi se prova kryesore mbeten gjurmët e gishtërinjve të dorës së majtë të gjetura në motorin tip Lifan. Sipas tij, mjafton ky detaj që ai të akuzohet si i implikuar në vrasje. Ka reaguar menjëherë avokati mbrojtës Gëzim Veleshnja. Sipas tij, ndalimi i klientit të tij është i paligjshëm. Avokati ka dëshmuar se ditën e krimit Arben Jaçe ka qenë në Tiranë nën shoqërinë e shokëve dhe miqve të tij. Sipas avokatit, Arbe Jaçe ushtron aktivitet privat shitje dhe rregullim motorësh dhe gjurmët në motor janë thjesht një rastësi e shitësit apo e rregulluesit të motorit. Ndaj ai ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të klientit nga salla e gjyqit. Ndërkohë prokurori Elvin Gokaj ka shtuar se ekzistojnë edhe prova të tjera që e implikojnë këtë shtetas në vrasje, të cilat pritet të dalin nga ekzaminimet shkencore që do të kryhen më vonë. Një prej tyre sipas Gokajt janë fijet e flokut të gjetura në maskën e mbajtur nga autorët. Pasi ka dëgjuar palët trupi gjykues është tërhequr për të marrë vendimin. Gjykatësja Pajtime Fetahu i ka cilësuar të pranueshme provat e sjella nga Prokuroria dhe ka dhënë masën e sigurisë me burg për Arben Jaçen. Ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes në bashkëpunim dhe e armëmbajtjes pa leje. I dyti në sallën e gjyqit është sjellë i dyshuari kryesor për të shtënat mbi trupin e Roland Rexhepit, Armand Llakaj. Po ndryshe nga i pari që e kishte siguruar avokat, kërkesa e Llakajt për të marrë si avokat Leonard Lamen nuk është përmbushur pasi avokati nuk ka pranuar. Po kështu është kërkuar ndërhyrja e një tjetër avokateje, por edhe ajo siç duket ka refuzuar dhe avokati i tretë i është siguruar nga dhoma e avokatëve. I papërgatitur Ilir Murra ka bërë një konsultë disaminutëshe me klientin dhe në këto momente Llakaj ka parashtruar si kërkesë të parë largimin e prokurorit Elvin Kokaj. Pasi ka marrë sqarimin për pamundësinë e ndryshimit të prokurorit në këtë fazë, Llakaj ka thënë fjalë të shkëputura si p.sh: “Ta marrin vesh të gjithë se ne rrimë kot këtu. Nuk janë të vërteta ato që thuhen. Më kanë arrestuar kot. I kanë shpikur e manipuluar të gjitha për të më përfshirë mua. Unë jam i pafajshëm etj etj. Pas kësaj konsulte avokati mbrojtës ka kërkuar që ndalimi i klientit të tij të konsiderohet i paligjshëm, pasi të gjitha provat apo procesverbalet janë administruar pa praninë e avokatit mbrojtës. Ai kërkoi gjithashtu që provat e grumbulluara të mos vlerësohen si të tilla dhe klienti i tij të lihet i lirë.

Prokurori Elvin Gokaj ka sjellë edhe një herë ngjarjen e ndodhur më 22 korrik kur u vra ish-agjenti Roland Rexhepi duke u ndalur më tepër tek provat e grumbulluara, të cilat sipas tij i implikojnë dy personat e ndaluar në krimin e vrasjes me paramendim dhe të armë mbajtjes pa leje. “Janë administruar si prova dy krehër fishekë, arma, motori, dy maska në një rrugicë, ndërsa brenda në furgon 3 shiringa, bishta cigaresh dhe një maskë pambuku.

Në bazë të akt-ekspertimeve rezulton se është bllokuar motor pa targa me parafango të dëmtuar, të cilës i mungonte një copë plastike. Kjo pjesë është gjetur afër armës. Nisur nga gjurmët e gjetura në motor i është kërkuar policisë shkencore në Tiranë krahasimi i gjurmëve të gjetura në motor me skedarët dhe databazën që disponon policia. Në bazë të këtij verifikimi rezultoi se gjurmët e shënuara në motor korrespondonin me shtetasin Armand Llakaj, i skeduar dhe i dënuar në vitin 1998. Ky i fundit ka qenë i dënuar me 8 vjet heqje lirie për veprën penale plagosje të rëndë me pasojë vdekjen.

Nisur nga provat e grumbulluara u lëshua urdhër ndalimi për shtetasin Armand Llakaj. Ndërsa si prova veç materialeve disponohen procesverbalet në vendin e ngjarjes dhe akt-ekspertimit. Nisur nga të gjitha hetimet dhe materialet që disponojmë ne kërkojmë arrest me burg për veprën penale vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje”. Pasi ka dëgjuar palët gjyqtarja Pajtime Fetahu është tërhequr për të marrë vendimin. Përfundimisht dhe për Llakajn ajo ka vendosur arrest me burg duke e përcaktuar të ligjshëm dhe të bazuar në prova ndalimin e tij dhe duke pranuar edhe provat e paraqitura nga Prokuroria. Akuzat e ngritura ndaj tij kanë qenë vrasje me paramendim në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Në pranga dy të tjerë të dyshuar

Ndalohen dy persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtor në krimin e vrasjes së ish agjentit të antidrogës Roland Rexhepi. Pas disa ditësh hetimesh policia ka shpallur ndalimin e dy personave dyshuar se në bashkëpunim me shtetasin Armand Llakaj dhe Arben Jaçe kanë ekzekutuar me kallashnikov “Dodën” tek dera e garazhit. Kështu pas një pune hetimore dhe shkencore ku kanë qenë deçizive provat e grumbulluara është arritur në ndalimin e shtetasve Marjus Fatmir Tafa, 21 vjeç lindur dhe banues ne Elbasan lagja “Haxhias” dhe Shkëlzen Shefki Shkrepi, i datëlindjes 30 vjeç, lindur dhe banues ne Elbasan, lagja “Haxhias”. Ndalimi i tyre u bë mbi bazën e urdhrave të ndalimit, lëshuar nga Prokuroria e rrethit gjyqësor Elbasan. Dy shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me shtetasit Armand Llakaj dhe Arben Jaçe, janë të dyshuar si autorë të vrasjes së shtetasit Roland Rexhepi. Ata akuzohen për veprat penale të “vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”, vepra penale të parashikuara nga nenet 78- 25 e 278 të Kodit Penal. Edhe për dy të ndaluarit ekzistojnë prova që kanë lidhje pikërisht me furgonin e gjetur në një cep në afërsi vendit të vrasjes. Sipas të dhënave, dyshohet se dy të rinjtë kanë qenë ata që kanë qëndruar në furgon dhe kanë survejuar shënjestrën që do të ekzekutohej më pas nga dy të tjerë me motor. Gjithsesi ende nuk jepen detaje mbi realizimin e këtij krimi dhe motivin që i ka dërguar autorët deri në vrasje. Deri tani deklarohet se një konflikt i vjetër ka sjellë krimin e vrasjes, por gjithsesi skema e përdorur dhe numri i madh i autorëve i shtyjnë hetimet më tej. Gjithsesi deri tani nuk deklarohet asnjë pistë tjetër për hetimet për vrasjen e “Dodës” ish-truprojës së Kosenit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›