E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimi për patentë tani me kompjuter

29/07/2009  Drejtoria e Transportit Rrugor ka vënë në funksion programin për Tiranën dhe Durrësin

Program demonstrativ për 180 autoshkollat që përgatisin kursantët

Drejtoria e përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka vënë në përdorim programin kompjuterik që teston aplikantët. Pyetjet dhe forma e testimit nuk ka ndryshuar, por vetëm mënyra e zhvillimit. Provimi për pajisjen me leje drejtimi të automjetit për herë të parë do të bëhet me kompjuter dhe po kështu edhe kontrolli i përgjigjeve të sakta apo atyre të gabuara. Rrjedhimisht edhe përgjigja nuk do të vonojë shumë. “Dikur aplikantët për leje drejtimi testoheshin në mënyrë të shkruar nëpërmjet disa testeve të printuara, ku ishin paraqitur pyetjet e formuluara nga specialistët. përgjigjet duhet të jepeshin me rrethimin e përgjigjes së saktë. E njëjta strukturë pyetjesh e përcaktuar nga organet kompetente do të vijojë edhe me këtë program të ri, por mënyra se si bëhet ky testim ka ndryshuar totalisht”, - theksojnë burime nga Drejtoria e përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor. Ky program tani më është funksion në Tiranë dhe në Durrës, ndërsa brenda pak javësh ai do të instalohet edhe në drejtoritë rajonale të 12 qarqeve. Një program demonstrativ do të marrin edhe 180 autoshkollat e pajisura me licencë për përgatitjen e kursantëve. Ky program do të përmbajë një shembull konkret për mënyrën e plotësimit të testit, për t’u ardhur në ndihmë atyre që do të përgatiten për të marrë lejen e drejtimit të automjetit. Testi teorik për leje drejtimi të kategorisë A+B përmban 13 pyetje në total. Për 12 pyetje është parashikuar të jenë nga 3 nënpyetje, ndërsa 1 pyetje duhet të ketë 4 nënpyetje, me alternativa të kombinuara pozitive e negative. Ndërtimi i strukturës së testit përfshin të gjithë programin teorik dhe kontrollin e plotë të njohurive më të rëndësishme për drejtimin e mjetit. Mes temave kryesore do të jenë ato në lidhje me rrugët, trafikun dhe sinjalet horizontale, sinjalet rrugore dhe rregullat e përparësisë, mjetet rrugore dhe drejtimi i tyre, normat e sjelljes në rrugë dhe përgjegjësia, si dhe elementet mekanike që lidhen me sigurinë e drejtimit të mjetit dhe mbrojtjen e ambientit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›